FSHF i kthen përgjigje Partizanit: Mos na i faturoni dështimet e sezonit, më shumë gjakftohtësi

Klubi i Partizanit doli dje me një deklaratë të fortë kundër FSHF-së duke e cilësuar atë si ‘federatë maskaradë’ si pasojë e vendimeve të arbitrave në ndeshjen kundër Lushnjës por jo vetëm.

Sot ka ardhur reagimi i FSHF-së dhe në të i bëhet thirrje Partizanit për më shumë gjakftohtësi në këtë fazë të sezonit. FSHF shton gjithashtu se dështimet e klubit të kuq nuk duhet t’u faturohen atyre.

Reagimi i FSHF-së

Duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit zyrtar i klubit të futbollit Partizani për ndeshjen e fundjavës në Lushnje, FSHF shpreh keqardhjen e saj për gjuhën vulgare të përdorur, dhe krejtësisht jo fair. Dështimet e sezonit të një skuadre, apo një tjetre nuk mund ti faturohen kurrsesi FSHF-së. Duke qenë se aludohet, dhe shpesh prodhohet alibia që FSHF dirigjon pengimin e Partizanit në arritjen e objektivave të tij, atëherë në suksesin e pesë ndeshjeve radhazi të klubit Partizani para pak javësh, FSHF paska qenë faktor? Këto janë thjesht paragjykime emotive në këtë pjesë të fundit të sezonit.

Përveç arbitrit në fushë, ndeshjen e gjykon edhe publiku si një futbolldashës, dhe jo në pozitat e një tifozi të sëmurë. Ndaj ne e ftojmë atë (publikun) të shohë takimin e Lushnjes ndaj Partizanit për gjithçka dha ajo ndeshje në fushë, nga ana e të dyja skuadrave, përpara se të gjendet një armik për mosarritjen e objektivit. Çdo rezultat është pjesë e lojës, dhe produkt i përgatitjes dhe performancës, si edhe pashmangshmërisht, edhe fatit për secilën skuadër. Ky është një moment që kërkon më shumë gjakftohtësi dhe përqëndrim në realizimin e objektivave finalë të të gjithë aktorëve të garës. Kjo shërben shumë më tepër, sesa një recetë gjaknxehtësie.