“Na zuri e keqja, kërkoj falje…”, flet babai i Vladimir Kurtit: Të varet për vrasjen e Kamzës

Kërkon falje me lot në sy Petrit Kurti, babai i autorit të tragjedisë në Kamzës ku në një grabitje u vra Agim Buci në sy të djalit të tij 6 vjeçar dhe u plagos bashkëshortja e tij. Në një intervistë për Tv Klan, 55-vjeçari thotë se nuk ka fjalë për atë çfarë shkaktoi ai që tashmë e quan “ish-djali” i tij.

“I kërkoj falje familjes Buci për tragjedinë që i shkaktoi ish-djali im….Të na falin, ne nuk e kemi traditë këtë gjë. I dhashtë Zoti, durim se nuk i kthehet më buzëqeshja dhe botën me i dhënë”.

Petrit Kurti shprehet se duhet të rikthehet dënimi me vdekje për krime të tilla, i cili duhet të fillojë nga djali i tij 28-vjeçar, Vladimiri.

Petritbuci-933x445

“I bëj thirrje si prind me shpirti me zemër, Presidentit të Republikës, kryetarit të Parlamentit, Edi Ramës të mblidhen direkt ta shfuqizojnë atë ligj famëkeq, për këta mostra që dalin, jemi duke rritur mostra, dënime me vdekje të nisë nga djali im, pasi po rrisim monstra. Si mund ti shkosh tjetrit në banesën e tij”.

Petriti nuk ka qëndruar në banesë pas krimit duke iu frikësuar ndonjë hakmarrjeje. Ai rrëfen se ka tentuar të kontaktojë me familjen Buci me anë të njohjeve të përbashkëta, por asnjë person nuk e merr përsipër ndërmjetësimin pasi krimi konsiderohet i rëndë.

“Nuk e merr kush përsipër me aq sa njoh unë këtu. Edhe sot kam tentuar, por me kanë thënë se krimi është i rënde. Shpresa e vetme është ndihmë e Zotit….”

Në një intervistë për Tv Klan vëllai i viktimës, Rufat Buci tha se vendosjen e drejtësisë ia kishin lënë në dorë shtetit. Dy të rinjtë Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda do të dalin të hënën para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë. Ata e kanë pranuar krimin ndërsa kanë treguar edhe vendin ku kanë hedhur pistoletën e cila me gjithë përpjekjet e policisë nuk është gjendur ende.

Tv Klan