Grabitja që përfundoi në vrasje, autorët nesër para gjykatës

Pritet të zhvillohet seanca nesër për masën e sigurimit personal për autorët e grabitjes në minimarketin e Kamzës që la për vdekje pronarin e biznesit dhe të plagosur bashkëshorten e tij.

Prokuroria kërkon arrest me burg për dy autorët e ngjarjes. Seanca do të zhvillohet në Gjykatën Penale në Tiranë.

Prokuroria ka dëshminë e dy autorëve që e pranuan veprën penale, gjithashtu makinën dhe rrobat që autorët kishin veshur në momentin që kryen grabitjen. Policia ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme në lumin e Tërkuzit, kërkimin për armën e krimit, të cilët autorët thanë që e kishin hedhur në lumë.

Mbrëmjen e 25 prillit, 2 persona të armatosur hynë në minimarketin e viktimës Agim Buçi, në rrugën “OSBE” në Kamëz, ku mbeti i vdekur pronari i biznesit dhe mbeti e plagosur gruaja e tij. Kur ndodhi ngjarja, prezent ishte edhe djali 6-vjeçar i çiftit.