Batuta e Gatuzos: Nga Bred Pit, tani jemi kthyer në mostra

Në konferencën e sotshme për shtyp, trajneri i Milanit , Xhenaro Gatuzo ka folur për situatën në skuadrën e tij, humbjen që bënë me Beneventon dhe për takimin e radhës kundër skuadrës së Bolonjës. Një takim i konsideruar mjaft i vështirë, ndërkohë që nuk mungojnë as batutat prej ish-mesfushorit.

“Nuk është një rastësi dhe për këtë arsye jam i nervozuar, prej kohësh pyes veten dhe kam marrë disa përgjigje. Gjithçka është pjesë e mentalitetit, duhet të luajmë siç bëmë kundër Napolit dhe jo si ndaj Beneventos, është çështje mentaliteti.

Jam i zhgënjyer me veten ngaqë ndoshta nuk i bëj dot lojtarët që të më kuptojnë, nuk fitojmë prej 40 ditësh. Për këtë jam i zhgënjyer. Kur stërvit Milanin ka shumë presion, por duhet të jemi të aftë të flasim më pak dhe të mos lëndojmë veten, sepse nuk na shërben asgjë. Të gjithë duhet të jemi më kompaktë, secili prej nesh ka përgjegjësi. Prioriteti im është të rikthej në majë këtë klub. Deri pak kohë më parë ishim të gjithë si Brad Pitt, tani jemi kthyer në mostra”.