”Ballkani, nga një film horror në fitues të çmimit Oscar me fund të lumtur”

”Ju mund të mbështeteni tek ne”, është mesazhi që Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dha gjatë fjalimit në samitin e Brdo-Brijunit, që u zhvillua në Shkup.

Pas raportit të KE-së, Donald Tusk mori një tur vizitash zyrtare në Ballkanin Perëndimot, dhe siç thotë erdhi me një mesazh të qartë. “Këtë javë kam udhëtuar nëpër tërë rajonin. Kam ardhur në Ballkanin Perëndimor me një mesazh të qartë nga udhëheqësit e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian: ne mbetemi të palëkundur në ofertën tonë për një perspektivë evropiane për rajonin. Ju mund të mbështeteni tek ne”, tha Tusk në fjalën e tij, duke theksuar se “këto nuk janë fjalë boshe”.

Ai theksoi se zhvillime pozitive janë të mundshme në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur këtu demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi dhe traktatin e Miqësisë mes Shkupit dhe Sofjes.

Tusk përdori dhe një metaforë për Ballkanin Perëndimor.

”Gjatë udhëtimit tim në rajon, kryeqytet për kryeqytet, unë jam kthyer përsëri një optimist i kujdesshëm. Është e mundur që historia e Ballkanit, një lloj filmi horror i pafundëm, mund të shndërrohet në një prodhim fitues të çmimit Oskari me “një fund të lumtur””, tha ai.