Asambleja e PS, Balla: Nga 1 maji deri në 30 qershor proces i plotë llogaridhënie

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka paralajmëruar një proces të plotë llogaridhënieje që nis nga 1 maji deri në fund të qershori për 321 njësi administrative, ministra, deputetë e zyrtarë vendorë.

Balla tha se ky proces llogaridhënie do t’i shërbejë një sërë qëllimesh duke nisur me përfshirjen e të gjithë qytetarëve për të jetësuar bashkëqeverisjen me qytetarët dhe më tej me zgjidhjen e ankesave të ndryshme, rritjen e punësimit etj.

Ai theksoi gjithashtu se është themelore përfshirja e drejtpërdrejtë të publikut, e njerëzve të zakonshëm në vlerësimin se cfarë kemi bërë në këto gjashtë muaj të parë të mandatit tonë të dytë, se cfarë nuk kemi bërë, si mund ta kishim bërë më mirë.

FJALA E BALLËS
Zgjedhjet historike të 25 qershorit 2017 ishin një votëbesim i qartë popullor për programin tonë të bazuar në tre shtylla kryesore, në Shtet, Punë dhe Mirëqënie.
Këto janë edhe shtyllat në të cilat mbështetet Shqipëria Europiane, një projekt që pas rekomandimit pozitiv pa kushte të Komisionit Europian, tanimë është më pranë të qënit realitet se kurrë.
Pa dyshim, mbetet përpara ende një rrugë e gjatë që Shqipëria të shndërrohet në një vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian.

Megjithatë, rekomandimi i Komisionit, është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur.
Arritjet e gjashtë muajve të parë të këtij mandati të dytë janë një rikonfirmim se ne, Partia Socialiste, jemi duke zbatuar një për një, të gjitha angazhimet për të cilat shqiptarët e votuan që të qeveriste e vetme, si kurrë më parë në 25 vitet e fundit.

Por në këtë kontekst, duhet të kujtoj se për ne është themelore përfshirja e drejtpërdrejtë të publikut, të njerëzve të zakonshëm në vlerësimin se cfarë ne kemi bërë në këto gjashtë muaj të parë të mandatit tonë të dytë, se cfarë nuk kemi bërë, si mund ta kishim bërë më mirë etj.

E për këtë qëllim është detyruese që ne të fillojmë menjëherë prej ditës së parë të muajit Maj e deri në fund të qershorit një proces të plotë llogaridhënie, në të 321 njësitë administrative të vendit, në të 61 bashkitë dhe 12 qarqet.

Kontrata e besimit e konkretizuar në marrëveshjen e firmosur në fillim të legjislaturës mes meje si Kryetar i Grupit Parlamentar dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste me ministrat ka synuar garantimin e bashkëpunimit mes palëve, për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.

Në përfundim të 180 ditëve të para të mandatit qeverisës, dua t’ju informoj se Grupi Parlamentar ka marrë dhe po merr në analizë seicilin prej ministrave në seanca dëgjimore të hapura të zhvilluara në selinë e Partisë Socialiste, për të shyqyrtuar kontratën e përformancës së seicilit për sektorët që mbulojnë. Gjithashtu është bërë edhe një analizë paraprake për zbatimin e kësaj Marrëveshje sipas metodologjisë së përcaktuar në të.

Në dosjet e punës së kësaj mbledhje Asambleje keni një përmbledhje sintezë të raportimit për cdo Ministri.

Si do të zhvillohet procesi i llogaridhënies publike?
Historia që në këtë vend qeveria apo të zgjedhurit deputetë, kryetarë bashkie japin llogari para zgjedhësve vetëm kur ka zgjedhje, i përket së shkuarës.
Për ne llogaridhënia publike është institucion, është kontrata jonë e bashkqëqeverisjes.

Më lëjoni të rikujtoj këtu se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2019, ne kemi vetëm një koalicionin, Aleancën me Qytetarët, përballë kemi një aleancë politikanësh që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë.

Ne do të jemi me njerëzit e zakonshëm, përballë do të kemi ata që e duan politikën si armë për të ruajtur privilegjet e tyre, jo për të luftuar për njerëzit, të cilëve u kanë marrë votën.
Detyra jonë sot është njerëzve, banorëve të cdo komuniteti në cdo cep të Shqipërisë, t’i krijojmë mundësitë për të qenë pjesë e analizës së 6-muajve të parë të qeverisë qëndrore por edhe 33 mujore të pushtetit vendor nëpërmjet llogaridhënies.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i projekteve strategjike që do të realizohen deri në fund të mandatit, që publiku të dijë paraprakisht cdo projekt, qoftë rrugë, qoftë urë, qoftë autostradë, me toll, pa toll, qoftë ujësjellës, qoftë impiant i trajtimit të mbetjeve, qoftë shkollë, qendër shëndetësore.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i politikave tona fiskale, politikave tona sociale, masat per shtresat ne nevojë.

Buxheti i vitit 2018 ishte buxheti i parë në Shqipëri që u ndërtua mbi bazën e konsultimeve publike, por përsëri na duhet që llogaridhënia që do fillojmë ta ketë edhe këtë në vëmendje.
Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edh intensifikimi i nxitjes së punësimeve nëpërmjet panaireve të punës, sikurse nuk duhet të lemë jashtë vëmendjes eventet sociale ose kulturore, në lançim edhe të sezonit turistik.

Lllogaridhënie publike do të thotë përfshirje e të gjithë qytetarëve pa përjashtim, sepse vetëm kështu jetësohet bashkëqeverisjes me qytetarët.

Në këtë process do të përfshihen të gjithë, Kryeministri, drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, zëvendësministrat dhe strukturat e tjera përgegjëse. Në cdo takim publik, do të mbahet shënim cdo pyetje, cdo ankesë, cdo sugjerim.

Cdo pyetje duhet të marrë përgjigje. Cdo sugjerim me vlerë të përfshihet në raportin përfundimtar.
Cdo ankesë e drejtë duhet të sqarohet apo të marrë zgjidhje. Në fund të këtij procesi do të hartohet një raport përfundimtar që do ti paraqitet Asamblesë. Pas miratimit nga Asambleja me gjithë rekomandimet, do të integrohet në planet e punës së qeverisë dhe sfidave të mandatit të bashkëqeverisjes.