DETAJE/ Vrasja e tregtarit në Kamëz, ja kush janë dy grabitësit e ndaluar sot

Policia e Tiranës ka zhvilluar një aksion mëngjesin e sotëm për kapjen e autorëve të dyshuar të grabitjes në Kamëz me pasojë vrasjen.

Burime policore thonë se të dyshuarit janë dy të rinj me origjinë nga Burreli dhe banues në Kamëz. Njëri prej tyre eshte me inicialet V. K.

Sipas të njëjtave burime, janë ndaluar dy autorët e dyshuar të grabitjes me pasojë vrasje dhe plagosje. Numri i të shoqëruarve për ngjarjen ka vajtur mbi 35 persona.

Zyrtarisht Policia e Tiranës rezervohet që të japë informacione më të detajuara për aksionin, ndërkohë që pritet të dalë më vonë në një deklaratë për mediat për të dhënë detaje. Mësohet se në banesat e dy të dyshuarve janë ushtuar kontrolle të imtësishme gjatë orëve të para të mëngjesit. Kontrollet janë ushtruar dhe në vendet e frekuentuara nga ana e tyre si dhe në disa fshatra të Burrelit.

Mbrëmjen e 25 Prillit, në lagjen “OSBE” të Kamzës dy persona të armatosur tentuan të grabisnin një dyqan të familjes Buci. Autorët qëlluan me armë Agim Bucin duke i shkaktuar vdekjen, dhe plagosën bashkëshorten e tij Merita Buci, e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

E gjithë skena u zhvillua në sytë e djalit 6-vjeçar të çiftit, i cili ndodhej brenda dyqanit. Pasi qëlluan me armë çiftin Buci, autorët u larguan nga vendngjarja. Kamerat e sigurisë së biznesit filmuan dy autorët, të cilët ishin me kapele. Për identifikimin dhe dhënien e informacioneve të vlefshme për vendndodhjen e tyre, Policia e Tiranës vendosi edhe shpërblim prej 5 milionë Lekë të vjetra./tvklan.al