U vra për 9.600 lekë. Policia: Kemi gjurmët e autorëve. Gruaja: Lekët na thanë dhe…

Redjon Shtylla

Familja Buci në Kamëz nuk hapi si çdo ditë qepenin e minimarketit, por dyert e mortit. Në familje ka pllakosur zia që prej mbrëmjes së mërkurë, natën ku kryefamiljari Agim Buci, baba i katër fëmijëve u vra barbarisht, edhe pse në xhiron ditore kishte vetëm 9.600 lekë.

Pasditen e djeshme, ju dha lamtumira 53-vjeçarit që sakrifikoi veten, për të mbrojtur gruan dhe djalin 6-vjeçar, e plumbat nuk e kursyen. Ngjarja tragjike ka tronditur familjen, opinion publik, por më së shumti djalin 6-vjeçar të familjes, që ishte dëshmitar i përleshjes dhe i skemës së vrasjes.

53-vjeçari humbi jetën pasi u përlesh me grabitësit, të cilët e qëlluan me armë, pas reagimit të tij me thikë. Bashkëshortja e të ndjerit, Merita Buçi vijon të jetë në spital, nën kujdesin e mjekëve, pasi mori një plumb në këmbë.

Duke ju rikthyer ngjarjen, dinamika ka qenë e tillë. Grabitësit u futën në minimarket me kapele në kokë dhe armë, duke kërcënuar çiftin e pronarëve t’iu dorëzonin xhiron ditore, por kanë hasur në kundërshtim prej tyre. Dyshohet se autorët janë të rinj, pasi sipas dëshmive kanë qenë të veshur sportiv. Pas përleshjes, autorët kanë qëlluar me armë fillimisht bashkëshorten e cila ka marrë një pumb në këmbë. Agim Buci ka tentuar t’i sulmojë autorët me një thikë, por njëri prej tyre e qëllon atë me pistoletë, duke i shkaktuar plagë të rënda në organet jetike.

Rrëfimi i gruas: Më thërriti djali

Në spital ndodhet gruaja, Merita Buci, e cila mori një plumb në këmbë, dhe është e shokuar nga ngjarja. Në një rrëfim të shkurtër mes dhimbjes të paskajshme që i ka lënë vrasja e bashkëshortit, 44-vjecarja thotë se gjithçka ndodhi kur bashkë me burrin ishin duke bërë mbylljet e fundit të dyqanit (inventarin), për të shkuar në shtëpi. Në arkë ndodhej djali i vogël i çiftit Buci, ndërsa Merita me bashkëshortin e saj ishin në një pjesë tjetër të dyqanit, që kishte lidhje direkte me shtëpinë.

Me gjysëm zëri, ajo ka rrëfyer se ishin dy persona të maskuar me kapuç, të veshur trashë, me xhupa jeshil dhe dorashka. Njëri prej tyre i armatosur me një pistoletë, i drejtohet arkës ku ndodhej edhe djali 6-vjeçar. Grabitësi i dytë, me thikë në dorë kuptoi se në dyqan ishte edhe çifti i pronarëve. Merita tregon se doli menjëherë sapo dëgjoi djalin të thërrasë, dhe nisi të qëllojë me ç’gjeti përpara ndaj autorit të armatosur që ndodhej tek djali i saj.

“Lekët, lekët”, tregon ajo duke rrëfyer bërtitjet për lekë që vinin nga dy djemtë e maskuar. “Çfarë lekësh doni”?, i është përgjigjur ajo duke nënkuptuar se në dyqanin e tyre modest nuk mund të kishte lekë të mjaftueshme për të justifikuar edhe veprimin e dy autorëve që kishin organizuar grabitjen e armatosur. Por, tragjedia ndodhi.

Policia: Kemi gjurmët e autorëve

Burime nga policia pohojnë se janë zbuluar gjurmët e autorëve. Grupi hetimor pohon se ka mbledhur prova që do të çojnë shumë shpejt në identifikimin e autorëve. Dy autorët që u futën në market, dyshohet se i ka ndihmuar edhe një person i tretë për t’u larguar.

“Provat do çojnë shumë shpejt në zbulimin e emrave të dy grabitësve. Nga kamerat e sigurisë nuk dallohet fytyra, por janë siguruar gjurmë të vlefshme. Dyshohet se autorët janë larguar fillimisht me këmbë pasi qëlluan mbi çiftin Buci. Dy grabitësit ishin me pistoleta në dorë, kanë dalë me këmbë nga dyqani dhe dyshohet se i ka ndihmuar një person i tretë për t’u larguar me makinë. Fakti që fillimisht grabitësit janë larguar me këmbë dhe më pas me makinë, shton dyshimet se ata janë banorë të zonës”,-thuhet në njoftimin e policisë.

Kamerat e sigurisë

Në arkë nuk kishte më shumë se 9.600 lekë të xhiros ditore. Fqinjët e familjes Buci shprehen të shokuar për ngjarjen. ”Shumë punëtor, shumë njeri i mirë dhe i nderuar në lagje. I respektueshëm”, tha një banor i zonës. “Ishte një shembull i një familjeje që mundohet të ndërtojë jetën në bazë të asaj ndershmërie, për të cilën është shumë e vështirë sot të gjesh fjalë”, tha një tjetër banor.

Ata kanë deklaruar se dëgjuan të shtëna dhe se i morën se janë fishekzjarrë. Në dyqanin e familjes Buci, ambienti kishte kamera dhe skena e përleshjes dhe krimit të rëndë, është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Policia ka sekuestruar pamjet të cilat mund të hedhin dritë mbi karakteristikat fizike dhe identiktin e grabitësve. Policia ka vënë një shpërblim prej 5 milionë lekë të reja për këdo që do japë informacione të vlefshme cilat do çojnë në kapjen e autorëve.

Basha: Dëshmi e dështimit të shtetit

Familjen Buci e vizitoi edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili teksa shprehu ngushëllime, foli për një situatë të rënduar të rendit. ”Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël ka marrë përmasa tronditëse. Në më pak se 4 javë, jo vetëm grabitjet janë bërë një lajm i përditshëm, por për fat të keq grabitjet janë shoqëruar me vrasje barbare, siç ishte rasti i mbrëmshëm në Kamëz, siç ishte rasti në Fier para disa javësh”, tha Basha.

Hidhërim e dhimbje nga të afërmit

Të afërmit e Agim Bucit e kanë shprehur dhimbjen edhe zemëratën për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur në rrjetet sociale. “U prefsh në paqe, shpirti jot Agim Buci gjithmonë do jesh në zemrat tona. Sa e padrejtë që është jeta, Zoti i vraftë ata që të vranë ty daja dhe nipi im”, shkruan një e afërme e tij. Reagimet nuk mungojnë as nga ata që Agim Bucin e njihnin nga afër. “Një fatkeqësi shumë e madhe, e pabesueshme! Agimi qoftë i Xhenetit, ju pastë lënë jetë e shëndet fëmijëve dhe familjes. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballur këtë humbje të madhe! Me mendje dhe zemër jemi me ju! Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe të afërmit”.