E vranë grabitësit gjatë përleshjes, ja babai i 4 fëmijëve (FOTO)

Një tentativë për grabitje mbrëmjen e mërkurë, u kthye në tragjedi për familjen Buçi në Kamëz. Çifti i pronarëve të minimarketit, Agim Buçi, 52-vjeç humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa gruaja e tij, Merita Buçi 44-vjeçe, ka mbetur e plagosur rëndë.

Sipas policisë, burrë e grua janë qëlluar me armë nga persona që kanë hyrë në dyqanin e tyre për të grabitur. Çifti kishte një minimarket në rrugën “OSBE” në Kamëz, dhe në momentin që kanë hasur në kundërshtimin e pronarëve, agresorët kanë qëlluar me armë. Agresorët janë futur në minimarket duke u drejtuar armën dhe kërcënuar që të dorëzonin xhiron ditore, por hasën në kundërshtimin e pronarëve.

Agim Buçi bashkë me gruan janë përleshur me autorët, ndërsa këta të fundit i kanë qëlluar me armë zjarri duke i plagosur. Pas të shtënave autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa gruaja ka kërkuar ndihmë. Buçi u nis me urgjencë në spital për ndihmë, por mbërriti i vdekur duke mos u mbijetuar plagëve që mori, ndërsa gruaja ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga të dhënat e para, mësohet se Merita Buçi ka një plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në momentin që autorët kanë vendosur që të grabisin minimarketin kanë përfituar nga fakti që nuk kishte shumë lëvizje për shkak të ndeshjes së “Champions Leagues”, ndërsa zona nuk kishte ndriçim.

Policia njofton se ka ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje-dalje të Kamzës e në pika të tjera, ndërsa vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit për të kapur autorët. Autorët dyshohet se mund të jenë larguar në drejtim të Fushë Krujës me makinë. Ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e ngjarjes.