Berisha: Ja pse nuk e vendosa taksën në Rrugën e Kombit

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer para Kuvendit se pse ai nuk e vendosi taksën në Rrugën e Kombit, duke nisur që nga fillimi, që nga koha kur ai e pa studimin sëbashku me ish-ministrin Sokol Olldashi.

“Unë i përgëzoj ata qindra kamionistë në protestë, – tha Berisha nga foltorja e Kuvendit. – Është e vërtetë që në vitin 2012, qeveria e kryesuar nga unë dhe ministrin e ndjerë Sokol Olldashi bëmë të gjitha studimet. Asgjë të fshehtë nuk ka këtu. Pas studimit, u vendos që taksa të mos vihet.

 

A jam unë kundër fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve?! Absolutisht jo!  Sado fonde të sillni në këtë Kuvend unë do t’i votoj, se është jetike, por të caktosh 5 milionë USD për mirëmbajtjen e rrugëve që janë 18 mijë km në mbarë vendin do të thotë se nuk jeton këtu dhe s’ke përgjegjësinë minimale.

Kthehemi tek taksa.

Doli vlera, ishte e papranueshme. Atëherë u vendos jo ta mirëmbajë Drejtoria e Rrugëve, kurrë. Unë jam dhe kam qënë që mirëmbajtja e rrugëve t’u jepet kompanive private që kanë fuqi shumë herë më të madhe se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Nuk kam pasur ndonjëhërë ndër mend ta shndërroj Drejtorinë e Rrugëve…Edhe atë e reformuam. Dhe ne do të bënim autosorcin njelloj si u bë, por cili ishte dallimi?!

Do t’i jepnim koncensionairit siç  i jepni ju ndrikull Nushit, siç i ndani ju me ndrikull Nushin apo me atë muratorin e instrumentave, ne do të jepnim para për të mirëmbajtur rrugët me radhë! Ky ishte drejtimi i politikës sonë.

Ata që duan të fshihen pas shpatullave të mia – se burri s’e bën atë kurrë – i pyes: Po pse s’e vura unë atë taksë? Ju më penguat? Unë aty e kisha studimin. Mora orientim se ku rrihte taksa e mirëmbajtjes dhe nuk e vumë. Ramë dakord që kjo nuk do të ishte me tarifë dhe nuk u vendos. Po janë të pafytyrë ata. Po të ishte dhënë, do të ishte bërë. Nuk tërhiqem unë nga vendimet e mia, por u pa që nuk duhej bërë, duhej kaluar në variantin tjetër.”