Shkëlqeu ndaj Norvegjisë, mediat italiane: Strakosha i pazëvendësueshëm!

Thomas Strakosha vijon që t’i mahnitë të gjithë. Portieri  Kombëtares sonë ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në miqësoren ndaj Norvegjisë, duke evituar në disa raste gola të sigurt. Vetëm një ditë pas ndeshjes me kombëtaren ku luajti si titullar ndaj Norvegjisë duke rezultuar ndoshta më i miri në fushë, mediat italiane nxjerrin një tjetër të dhënë që konfirmon sezonin e shkëlqyer të portierit të Shqipërisë. Askush si Strakosha në Serinë A, ai është një nga ata që portën nuk e lëshon kurrë, ose më saktë është i pazëvendësueshëm për Lacion, shkruan faqja pranë klubit bardhekaltër “lalaziosiamonoi.it”.

Thomas Strakosha është futbollisti që ka luajtur më shumë në Serinë A, në vend të parë në klasifikimin special bashkë me Allison për sa i përket kampionatit, Strakosha ka luajtur plot 2 610 minuta në fushën e blertë, për ta bërë më të qartë portieri shqiptar nuk ka humbur asnjë minutë në këto 29 javë kampionat në Itali, dhe madje lë pas edhe Alison pasi portieri i Romës ka pushuar në Kupën e Italisë, Strakosha ka 500 minuta më tepër aktivizim pasi nuk la humbur asnjë ndeshje, dhe është kursyer nga Inzagi vetëm në 2 takime në Europa League, kur kualifikimi ishte siguruar.

Në total 42 prezenca për Strakoshën këtë sezon, plot 3810 minuta më shtyllave, dhe ka përpara ende një finale sezoni ku i duhet të bëjë orët shtesë, diçka që te Lacio e urojnë me gjithë shpirt, duke qenë se edhe pse Strakosha numëron 8 ndeshje pa pësuar gol, në përllogaritjet e bëra nga mediat italiane skuadra bardhekaltër ka të paktën 12 pikë më tepër në klasifikim pikërisht në sajë të portierit shqiptar.

Në këtë mënyrë Strakosha meriton komplimente jo vetëm për rritjen e jashtëzakonshme, por edhe për vazhdimësinë absolute dhe mbi të gjitha besueshmërinë që ka gjetur Lacio te 23-vjeçari. Strakosha po konfirmohet gjithnjë e më shumë si pasardhësi i Bufon, duket se nëse vazhdon kështu Lacio do ta ketë shumë të vështirë ta mbajë gjatë. Më formën që po kalon ai i ka bindur të gjithë, se një ditë mund të jetë numri një në botë në rolin e tij.