Mesi inspektim në Dajç dhe takim me Ambasadorin turk

ZëvendësKryeministrja e Senida Mesi ka inspektuar sot sërish zonën e nën-Shkodrës të prekur nga përmbytjet e kohëve të fundit.
Ajo ka qenë në Njësinë Administrative Dajç, ku është takuar me banorë të prekur nga përmbytjet dhe u ka siguruar atyre gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare në menaxhimin dhe përballimin e situatës. Me iniciativë të saj, komuniteti i biznesit dhe shoqatave ka siguruar për banorët e Dajçit pako me bazë ushqimore dhe ujë të pijshëm për banorët, si dhe koncentrat për gjënë e gjallë.
Gjatë ditës së sotme, Mesi është takuar gjithashtu me Ambasadorin turk në Tiranë  Ahmet Yörük dhe Drejtorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)  Necip Özay Özütok, të cilëve në emër të qeverisë shqiptare u ka shprehur mirënjohjen e veçantë për kontributin e TIKA në sigurimin e bazës ushqimore për 2500 banorë të prekur nga përmbytjet dhe 50 ton ushqimeve për gjënë e gjallë.
“Falenderim për qeverinë turke, e cila nuk është hera e parë që jep ndihmesë sa herë është patur nevojë për ndihmë konkrete. Qeveria Turke, jo vetëm mbështetje me ndihma në këtë periudhë, por në të ardhmen mbështetje teknike në një planifikim afatgjatë për parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen”, ka shtuar ajo.
Në të njëjtën kohë, ZëvendësKryeministrja Mesi ka nënvizuar se koordinimi i të gjithë instancave si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal, ka qenë faktor suksesi në menaxhimin e kësaj situate në Shkodër.
Duke theksuar faktin se të gjitha forcat janë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë, në lidhje me ndihmat, Znj. Mesi ka theksuar nevojën dhe faktin se është kompetencë dhe detyrë e Bashkisë së Shkodrës dhe njësive administrative të prekura, që t’i shpërndajnë këto ndihma në mënyrën më të mirë dhe transparente të mundshme.