Janina: Koha që BE dhe Shqipëria të kthejnë fjalët në vepra

Ka ardhur koha që BE dhe Shqipëria të kthejnë fjalët në vepra, deklaron ambasadorja e Misionit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Suela Janina, në një intervistë për European Western Balkans.

Më poshtë vijon e plotë intervista e ambasadores Janina:

EWB: Cili është mendimi juaj për strategjinë e publikuar rishtaz për zgjerimin e BE-së dhe si e shihni optimizmin që mbizotëron mes zyrtarëve të BE-së nga këndvështrimi i Shqipërisë?

Suela Janina: Në Shqipëri ne e kemi përshëndetur strategjinë e Komisionit Europian dhe kemi vlerësuar qasjen e tij për t’u ofruar një perspektivë të besueshme për zgjerimin të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në veçanti, ne jemi të kënaqur me vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për progresin e konsiderueshëm që Shqipëria po bën në rrugëtimin europian dhe gatishmërinë e Komisionit për të rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë mbi bazën e kushteve të përmbushura.

Siç referohet në ditët pas publikimit dhe gjatë vizitës së presidentit Juncker, në Tiranë më 25 shkurt, për ne strategjia përfaqëson një sinjal të qartë për rivitalizimin e angazhimeve të BE-së ne rajonin tonë si dhe një motivim për të vazhduar me reformat, në mënyrë që të ecim përpara në rrugën e integrimit europian.

Përtej komenteve, ka ardhur koha të adresojmë pa vonesa veprimet për të zbatuar strategjinë dhe gjashtë iniciativat e saj të rëndësishme dhe më konkretisht, të punojmë drejt një planveprimi në mbështetje të transformimit të Ballkanit Perëndimor. Presim që Komisioni të marrë rolin kryesor dhe të koordinojë zbatimin e planit të veprimit, duke qenë se nga ana jonë jemi duke ndërmarrë reforma reale dhe të qëndrueshme në fushat e interesit të dyanshëm.

EWB: Pothuajse 15 vjet pas samitit të Selanikut, Bullgaria organizon një samit tjetër të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Sofje. Cilat do të jenë rezultatet konkrete të samitit të ardhshëm dhe si do ndikojnë ato në procesin e anëtarësimit të vendeve respektive?

Suela Janina: Vrulli i nxitur nga ngjarjet e fundit dhe iniciativa si fjalimi mbi Gjendjen e Unionit dhe vizita e parë e presidentit Juncker në rajonin tonë, angazhimi i vazhdueshëm i përfaqësueses së lartë, Mogherini në Ballkanin Perëndimor, strategjia e Komisionit e publikuar në shkurt, marrja e presidencës së radhës të BE-së nga Bullgaria, e cila e vendos Ballkanin Perëndimor si një prioritet, paketa e zgjerimit në prill, të gjitha së bashku krijojnë një dritare mundësish për rajonin tonë.

Ne presin nga samiti i Sofjes ta mbajë hapur këtë dritare dhe të lerë pas një trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë një angazhim të përmirësuar për një perspektivë të besueshmë për rajonin tonë. Samiti i Selanikut do të mbahet mend për konfirmimin e perspektivës së vendeve të rajonit për anëtarësimin në BE dhe projektimin e së ardhmës së Ballkanit Perëndimor brenda BE-së.

Ajo se për çfarë do të mbahet mend samiti i Sofjes, varet kryesisht nga ambicia e vendeve anëtare për të projektuar një të ardhmë jo shumë të largët të BE-së me Ballkanin Perëndimor si pjesë integrale e tij. Ne shpresojmë se samiti i Sofjes do të jetë në gjendje të japë udhëzime për vitet e ardhshme, kur ne presim një angazhim më të strukturuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor në aspektin institucional, politikat e jashtme dhe të brendshme, çështjet teknike dhe financiare duke e bërë perspektivën e zgjerimit të Unionit me anëtarë të rinj një mundësi reale.

EWB: Cilat mendoni se janë sfidat kryesore dhe pengesat në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?

Suela Janina: Ne e kemi të qartë se nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të vendit në BE. Kjo është një rrugë me një kalim drejt përmbushjes së kushteve të anëtarësimit, që në vetvete nuk janë thjesht kritere formale, por përkojnë me interesat dhe kërkesat e qytetarëve tanë për konsolidimin e shoqërisë në mbështetje të shtetit të së drejtës, të drejtave themelore, mirëqeverisjes dhe ekonomisë së zhvilluar. Nuk mendoj se Shqipëria ka ndonjë pengesë të veçantë në rrugën e saj drejt BE-së, nuk kemi çështje bilaterale të pazgjidhura apo pasoja të konflikteve etnike nga e shkuara, të cilat disa vende kanë nevojë t’i zgjidhin.

Është e vërtetë që kemi sfida të ngjashme me vende të tjera në rajon, kryesisht në fushat e sipërpërmendura dhe përballja me rezistencën ndaj reformës së vërtetë është një sfidë gjithmonë e pranishme. Në rastin tonë, është bërë progres i madh, por mbetet shumë për t’u bërë në vitet e ardhshme.

EWB: KE ka bërë të ditur qëllimin e tij për të rekomanduar te vendet anëtare fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë duke theksuar se kjo mund të ndodhë këtë verë. Dhe është e vërtetë se Shqipëria ka bërë progres domethënës në luftën kundër krimit të organizuar, në procesin e vetingut dhe në fushën e drejtësisë që nga rekomandimi i KE-së në vitin 2016, por që nuk u mbështet nga Gjermania. A mendoni se vendet anëtare kanë të njëjtin optimizëm dhe se negociatat për anëtarësimin do të fillojnë këtë vit?

Suela Janina: Lejomëni të bëj një sqarim për pyetjen tuaj. Në nëntor 2016, KE njohu përparimet e qëndrueshme në pesë prioritetet e kërkuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe rekomandoi hapjen e këtyre negociatave me Shqipërinë, subjekt i progresit të besueshëm dhe të dukshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, veçanërisht në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rekomandimi i KE-së dhe vlerësimi për Shqipërinë janë mbështetur nga vendet anëtare. Në 2016 Këshilli Evropian mori notën pozitive të rekomandimit të KE-së dhe nxiti Shqipërinë për të vazhduar punën dhe për të konsoliduar arritjet. Sot, më shumë se një vit më pas, ne kërkojmë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit bazuar mbi përparimet konkrete në reformën e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me një qartësi të plotë në angazhimin tonë për të dhënë rezultate të qëndrueshme nga këto reforma që do të na ndihmojmë për të ndërmarrë hapin e radhës në rrugën tonë drejt BE-së.

Shqipëria pret hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në brenda këtij viti. Ne shpresojmë të marrim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave në raportin e prillit të KE-së dhe të presim që Këshilli i BE-së të miratojë vendimin për hapjen e negociatave.

Besoj se kjo pritshmëri nuk është e pabazuar. Si një vend kandidat që nga 2014, Shqipëria i ka filluar me vrull reformat për shtetin e së drejtës, të drejtat fondamentale dhe mirëqeverisjen, ashtu si edhe ambiciet për reformën ekonomike. Ne shkëmbejmë mbi baza të rregullta, me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare, zhvillimet që lidhen me procesin e reformave dhe vlerësojmë mbështetjen e tyre të çmuar jo vetëm për inkurajimin, por edhe për bashkëpunimin konkret në sfidat më të rëndësishme me të cilat përballemi si reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe operacionet kundër migrimit të paligjshëm.

Ne e kuptojmë që BE pret rezultate konkrete nga ne dhe për këtë arsye procesi i vlerësimit të këtyre rezultateve do të jetë i vështirë, por i drejtë. Deri në takimin e Këshillit Europian në qershor, unë shpresoj se ne do të jemi në gjendje të bëjmë atë që na takon, pra të bindim partnerët tanë në BE që ajo që ne po kërkojmë nuk është një rrugë e shkurtër apo një privilegj, por një rrugë drejt një vendimi të merituar për të përparuar te negociatat zyrtare, që do të shërbejnë si një katalizator i rëndësishëm për të përshpejtuar reformat në vend dhe për ta bërë perspektivën e anëtarësimit një realitet që u përcillet më shumë se një ëndërr qytetarëve tanë.

EWB: Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku shumica e qytetarëve, jo si në të gjitha vendet e rajonit, ka qenë mbështetëse e anëtarësimit të vendit në BE. A prisni që kjo mbështetje ndaj BE-së të ruhet, pavarësisht faktit se procesi i integrimit po ecën ngadalë?

Suela Janina: Anëtarësimi në BE është një aspiratë e popullit shqiptar dhe një objektiv kombëtar që nuk paraqet ndarje në spektrin social dhe politik të vendit tonë, një konsensus që vështirë se gjendet në ndonjë vend tjetër. Unë pres që kjo gjë të mbetet e pandryshuar deri ditën kur ne do t’i bashkohemi familjes europiane, së cilës ne i përkasim jo vetëm gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe ku ne jemi gati të ndajmë sfidat e së tashmës dhe për më tepër, të së ardhmes së përbashkët. Sigurisht, të jesh për një kohë të gjatë në pritje nuk është një opsion komfort për të ardhmen.

Përsa na takon, qëndrimi ynë është i qartë dhe me baza: nuk ka asnjë dyshim për orientimin tonë strategjik për t’iu bashkuar BE-së dhe vendosmërisë sonë për ta përmbushur këtë objektiv në praktikë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të bindur se rruga para nesh është kërkuese dhe sfiduese, por ne jemi të vendosur ta kthejmë këtë mundësi në një realitet për popullin shqiptar. Hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë nuk do të jetë vetëm një mesazh pozitiv për qytetarët tanë, por edhe për të gjithë rajonin, pasi koha për të kthyer fjalët në vepra, për të dyja palët, është tani./atsh/