Përmbytjet në Shkodër, fshati Obot i pushtuar nga uji

Fshati Obot në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër është zona më e goditur nga përmbytjet në këtë qark.

Sipas informacioneve nga Emergjencat Civile në Prefekturën e Shkodrës, rreth 60% e banesave kanë prezencën e ujit në oborret e tyre, ndërsa mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, e kalueshme vetëm për mjetet e larta.

Në gjithë njësinë administrative të Anës së Malit përllogariten rreth 500-600 ha tokë të përmbytura.

Në fshatrat Obot dhe Muriqan janë të izoluar 35 fermerë me fermat e tyre blegtorale ku përfshihen rreth 100 krerë gjedhë, 100 krerë derra dhe 300 të imta.

Ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në bashkinë  Shkodër, kryesisht në Njësitë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana Malit, Guri Zi.