Autostrada e ”vdekjes”, çdo ditë aksidente

Aksi më i rrezikshëm është Vorë-Maminas dhe anasjelltas, me një gjatësi rreth 5 kilometra, vend ku mesnatën e së mërkurës humbën jetën taksisti Bujar Agalliu, dhe 23-vjeçarja Eleni Abdilari, makina e të cilëve u përplas me bordurat e një karburanti pasi u godit nga një mjet tjetër.

Firma kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës po punonte edhe sot në disa pjesë të rrugës për mbushjen e gropave, duke devijuar trafikun por pothuajse e gjithë rruga është tejet e dëmtuar.

Sipas burimeve nga policia në këtë aks raportohen aksidente çdo ditë ndërkohë që shqetësimi për gjendjen e rrugës i është përcjellë zyrtarisht me disa shkresa Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sipas ekspertëve mbushja provizore e gropave nuk është zgjidhje pasi me kalimin e kohës reshjet e shiut dhe mjetet e tonazhit të rëndë i hapin sërish. Aktualisht nuk dihet nëse ka një projekt për rehabilitimin e autostradës më të rëndësishme të vendit ku mesatarisht qarkullojnë 45 mijë mjete në ditë.