Epidemia e ndihmës sociale dhe luksi i politikës

Nga Ilir Levonja

Kur pyet një të papunë në Shqipëri, se, a merr ndonjë ndihmë sociale nga shteti? Të përgjigjet shkurt jo. Pastaj nxjerr si justifikim atë postulatin gangrenë se, as që edhe ka marrë mundimin të shkoj e të kërkojë të drejtën pasi ata tek zyrat e përkrahjes sociale duan lekë. Nuk bëhet gjë pa lekë etj.
Dhe nuk kanë faj. Derisa nje vend pune blihet me para, ka edhe misionin e qarte. Punësohem për rrjepur, vjedhur, vënë ca para sa të kem gurin dhe arrën në dorë.
Në fakt zyrat e përkrahjes sociale në Shqipëri janë një gjithashtu një minerë e allishverisheve tona. Nëse ndonjë ditë edhe aty do ketë si të thuash hulumtime, a hetime, të jeni të sigurte se do dalin xhevahire. E shumta e qyteteve të Shqipërisë e njohin njëri-tjetrin. Dhe plot syresh e dinë fare mirë se sa emra fiktivë marrin ato thërrimet mujore që nuk u takojnë. Shkurt në vend që t’i marrin qytetarët në nevojë, i marrin kush ka një të njohur, kush ia ka kuptuar stilin jetës, me më jep e të jap. Kësisoj në masën mbi 60%, përfituesit nuk janë aspak shtresa në nevojë. Me padiskutim që kanë një aktivitet, por edhe emrin në ndonjë bordero dikund. E kemi edhe si shprehje, ne, atë që, leku te leku shkon.
Kështu që ata në nevojë me të drejtë mbledhin supet. Dhe janë jo, pak. Por varfëria të bën memec, ta zhduk forcën dhe ta tremb dinjitetin.
Mu kujtuan këto pak detaje, nga që larg llogjeve të së përditshmes, më në fund politika jonë po merret me vobektësinë sociale. Opozita … pamë ca pamje nga rrethinat e Kamzës. Megjithëse po të shkoj më poshtë në Shqipëri, ose edhe në skajet e epërme…malësinë e Elbasanit përshembull, e kemi hak ta rikujtojmë Migjenin dhe poemën e tij të mjerimit.
Këdo e kap një maraz kur shikon ato soje si gjoja, shtëpi i thënçin, streha e postreha ku gëlon mizerja. dhe as që diskutohet që ajo njëzetëmijë lekshi nuk ka i mbyll vrimat. Sepse një varfëri e tillë është e tipit të thesit pa bythë…
Megjithatë të vjen mirë kur shikon që protestohet fort në lidhje me përkrahjen. Por opozitës i duhet thënë se jo vetëm për sharm. Por për një prurje projekti më të studjuar në raport me varfërinë e vendit. Pasi arsyeja e fondeve thërrime vjen nga mbledhja e pakët e taksave dhe vjedhja me shumicë e tyre.
Për të mos thënë të fundit, falimentimi i shtetit. Ku historikisht liderët i mbulojnë këto dështime, me, skupe të tipit president të përbashkët me Kosovën etj. Nuk ka para, thojani popullit me plot gojën…. Dhe kjo është e kuptueshme që nga manovrat e Bankës së shtetit me politikat e kredidhënies në euro e lekë. Me emërimet politike në drejtësi etj… po ora po afron. Ndofta haku i atyre të vobektëve që u shikojnë si perëndi. Megjithatë Luli, dil nga Kamza prapë. Nga Kamza, Farka e ato vende ku dominojnë vilat, kullat… Se paraja e humbur aty është. Merreni e veproni ashtu si bota bën…
Shumë vende të botës operojnë ndihmën sociale me karta ushqimore dhe fatura të zbutura në qiradhënie. Pa përjashtuar këtu edhe mensat publike për ata që janë të pastrehë. Nuk e japin para… Ndofta kjo edhe bën dallimin.
Dhe vërtetë ndihma shkon tek njerëzit në nevojë. Kam parë dhe politikanë që u shërbejnë të varfërve. Kurse tek ne diametralisht e kundërta. I rrjepim, i vjedhim, i rrahim më tutje i reklamojnë. Kur asgjë tjetër nuk janë, fytyra e dështimit tonë.