Asistenca, debate në Kuvend, Basha: Rama të merret i pandehur

Pas dy interpelancave, Kuvendi është përfshirë nga debati për skemën e ndihmës ekonomike, ku opozita akuzon qeverinë se ka hequr mbi 20 mijë familje. Edhe pse kërkesa e PD për mocion me debat me Ramën për këtë cështje u shty nga Konferenca e Kryetarëve në datë 15 mars, kjo nuk e pengoi opozitën që të lëshonte akuza ndaj qeverisë dhe ministres Manastirliu.

Debati në Kuvend për ndihmën ekonomike/ Zhvillimet 

Asistenca, Basha në Kuvend: Rama të merret i pandehur
“Kjo qeveri nuk tha sot për mbi 20 mijë familje shqiptare që u është hequr ndihma ekonomike pa asnjë shpjegim. Asnjë ndjejë, zuzaraët kanë zgjedhje shkojnë i blejnë me thesin e miellit me Habilajt dhe Balilajt, por pas zgjedhjeve i harrojnë. Vendimi për heqjen e ndihmës është i Ramës për t’i hequr bukën e gojës mijëra familjeve, ajo është detyrim për familjet që nuk kanë të ardhura. Shpikën një sistem pikëzimi, refuzojnë ta bëjnë transparent, tregoi se po të kesh sobë me dru nuk ke të drejtë për ndihmë ekonomike, por refuzon të tregojë sistemin e pikëzimit, krim i dyfishtë. Po të kishim një prokurori të pavarur do ta merrte të pandehur marionetën e Ramës dhe vetë atë, pasi nuk ka krim më të madh”.

Ora 12:20 Berisha: Ju pasuroheni cdo ditë, populli në varfëri
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi se qeveria me oligarkët po pasurohen cdo ditë, ndërsa populli vetëm varfërohet. “Ju që pasuroheni cdo ditë, ua pretë kafshatën. Ka shkuar në qiell pasuria e oligarkëve tuaj dhe në humnerë gjendja e qytetarëve. Ju deputetët e Fierit dilni dhe takoni ata punonjësit e Fierit, sepse urdhëronte nga zyra e Ramës, Vali Bizhga dhe tani bëni sërish tenderime. Vidhni dhe tani investoni, ju dilni tani flisni dhe … nuk po përdor një term ‘leh si qeni në hënë” tha Berisha.

Spiropali-Pampuri replika për ndihmën ekonomike
Deputetja e PD, Oriola Pampuri, iu kërkoi të gjithë socialistëve të mos e përdorin më shprehjen ‘Sot është më mirë se dje’, duke shtuar se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë, pasi sipas saj, janë hequr nga ndihma ekonomike 20 mijë familje në nevojë. Në kundërpërgjigje ndaj saj, deputetja socialiste, Elisa Spiropali, i kërkoi deputetes së Rrogozhinës t’i thotë kryetarit të bashkisë të mos merret me tokat, por me ndihmën ekonomike.

Spiropali u shpreh se “Nuk kanë fjalë tjetër vetëm ‘nxirje, mafie, varfëri’, a thua se Shqipëria që lanë ata ishte tjerët. Më shumë se kaq, se nxirja e Shqipërisë, është fakti që kanë kujtesë të shkurtër dhe nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Paepuri përmendi Bashkinë e Rrogozhinës dhe 80 familjet që kanë dalë nga skena e ndihmës ekonomike. Dua ta dijë zonja se kjo bashki ka 6% fonde mundësi për t’i përfshirë në skenë këto familje. Duhet t’i thoni kryetarit të mos merret me tokat dhe ndarjen e tyre, por me skemën e ndihmës ekonomike, me qytetarët, nevojat e tyre, sepse kjo skemë e përfshin, pra mundësitë janë. Të kuptojë se kryetari i bashkisë të mos merret me tokat, por me ndihmën ekonomike.

Paepuri dhe të tjerë që do flasin këtu me lot për varfërinë, t’i thotë kryetarit të bashkisë Kamëz, që vizitohet me dashuri nga Basha, në vend që të nxjerrë banorët e Kamzës aty për të treguar sa të varfër janë, të bëjë punën e tij. Mos e përdorni varfërinë si mishi për top të politikës tuaj të dështuar. Asnjë shqiptar nuk e ha këtë politikë të paudhë.

Sipas studimit të BB, më 2008 programi i ndihmës ekonomike mbulonte vetëm 22% të familjeve të varfra, dhe edhe ky 22% ndahej me kritere politike në mënyrë subjektive dhe duke abuzuar rëndë me skemën e ndihmës ekonomike, ku përjashtoheshin familjet vërtet të varfra, sepse duhet të plotësonin 9 dokumente burokratikë. Për këtë lindi nevoja e BB për të shënjestruar më mirë varfërinë. Kjo skemë është tërësore, e plotë, dhe ka problemet e saj në fazën e kolaudimit. Kanë dalë nga skema abuzues, por ka ende. Sistemi elektronik e bën të pamundur të abuzohet në mënyrë periodike”.

Por Pampuri e cilësoi “Situatë e paprecedentë. Mos e citoni fjalën ‘Sot është më mirë se dje’. Të paktën këtë kursejuani qytetarëve, që po përballen me situatën më të vështirë ekonomike”. Ndërsa deputetja e PD, Rudina Hajdari tha se po goditen bastionet e djathta. “Kjo padrejtësi e sistemit të komplikuar, qeveria po godet bastionet e djathta, për t’i dëbuar dhe larguar. Edhe pushteti lokal mban përgjegjësi, por është ky pushtet dhe kjo qeveri që do të mbahet mend për varfërinë ekstreme”.