Qato: Për të krijuar Zonën e Lirë Ekonomike Rajonale duhet të eliminojmë barrierat e biznesit

Fjala e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato, gjatë sesionit të trete me temë “Zona ekonomike rajonal, bashkëpunimi ndërkufitar, CIF”, pjesë e konferencës së SCAN Economic Forum.

Për të gjithë ne shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor është kaq e rëndësishme nisma e marrë në samitin e Triestes për krijimin e zonës ekonomike rajonale, për të cilën jam e sigurt që zonja Harito ka për të dhënë të gjithë indikatorët e nevojshëm për të treguar se çfarë plani dhe masash veprimi janë duke marrë qeveritë respektive për ta realizuar këtë projekt kaq të madh.

Unë do doja të përfitoja nga rasti i këtij paneli dhe kësaj pjesëmarrjeje për të prezantuar këtë zyrë të re brenda kabinetit qeveritar, e cila është roli i ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, ku me të drejtë edhe zoti Ruli e nënvizoi si një zyrë që krijohet për herë të parë në një kabinet qeveritar, por që ju siguroj ka një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e të gjitha atyre projekteve të përbashkëta dhe në krijimin e një lidhjeje të ngushtë të partneritetit dhe të dialogut publiko-privat mes komunitetit të biznesit dhe qeverisë. Pikërisht për të arritur ato lloj ekuilibrash ekonomikë, por edhe të kuadrit legjislativ dhe administrativ, aq të nevojshme për ta bërë vendin tonë një vend i cili do të përshtatet më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme me politikat rajonale të zhvillimit dhe me politikat ku aspirojmë të gjithë të integrohemi, të Bashkimit Europian.

Ndaj misioni i parë dhe kryesor i ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është që të luftojë brenda qeverisë për të zhdukur apo për të eliminuar të gjitha ato barriera administrative për të cilat ne tashmë e kemi koshiecën që ekzistojnë dhe për të luftuar së bashku, pra për ta bllokuar le të themi sipërmarrjen, biznesin dhe investitorët e huaj që kërkojnë të investojnë në Shqipëri apo kanë investuar tashmë, për të krijuar një klimë të të bërit biznes në vendin tonë sa më të përshtatshme, të qetë, në mënyrë që i vetmi mision i biznesit është që të hapë mundësi të reja të zhvillimit ekonomik dhe të nxisë punësimin në vend. Dhe qeveria të ndikojë në këto lloj politikash nëpërmjet harmonizimit të të gjithë kuadrit legjislativ në fuqi dhe lehtësimit të të gjithë atyre procedurave që duken ndonjëherë si barriera, por në fakt janë procedura të përcaktuara nga kuadri ligjor, për të cilën ne jemi duke punuar.

Ndaj dua të vë theksin në dy aspekte kryesore apo më saktë në dy reforma që kjo qeveri në këtë mandat qeverisës është duke ndërmarrë:

Reforma e parë është reforma e derregullimit. Duket sikur nuk ka lidhje me këtë panel dhe me kontaktin me biznesin, por në fakt është kryesisht e gjitha në funksion të sipërmarrjes dhe të biznesit. Një derregullim, e cila ka marrë përsipër të lehtësojë në maksimumin e mundshëm të gjithë barrierat administrative në funksion apo në fuqi deri më sot, për të lehtësuar maksimalisht të gjitha ato indikatorë, kritere, kushte dhe kërkesa që një biznes apo dhe një qytetar duhet të plotësojë pranë administratës shtetërore, me qëllim që Shqipëria të jetë një vend i cili të jetë konkurrues. Pra të mos ketë barriera administrative më shumë se sa mund të kenë vendet tonë fqinjë në rajon dhe për të hapur rrugët dhe qetësinë e duhur sipërmarrjes për t’u zhvilluar pa i harxhuar kohën për t’u marrë me dokumentacione, rregulla, procedura administrative kryesisht në fushën e tatimeve dhe doganave, të lejeve, të licencave dhe autorizimeve që lëshohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. E gjitha kjo për të krijuar një klimë dhe një standard të bashkëpunimit midis sipërmarrjes dhe investitorëve dhe qeverisë. Për shkakun e vetëm se ne duam ta shohim sipërmarrjen dhe investitorët, si vendas dhe të huaj, partnerë me qeverinë, dhe si të tillë duhet të japim të gjithë mundësinë për të partnerizuar dhe për të konkretizuar projektet e tyre pa i vështirësuar në barriera administrative, apo në procedura të gjata, ndonjëherë edhe të lodhshme, të cilat dekurajon biznesin për të investuar në vendin tonë.

Ndaj, ky është një element shumë i rëndësishëm për të cilën qeveria është duke punuar shumë fort, i gjithë kabineti qeveritar dhe ku zyra e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka një rol shumë të rëndësishëm, pikërisht në koordinimin e opinionit të sugjerimeve dhe propozimeve që vijnë nga vetë biznesi, nga vetë grupet e interesit që përfaqësojnë fusha të ndryshme të veprimtarisë ekonomike brenda vendit tonë, të cilët duke jetuar në përditshmërinë e tyre problematikat që ata ndeshin në dyert e administratës shtetërore, dinë të bëjnë një skaner shumë të qartë të situatës dhe dinë të na ofrojnë zgjidhje shumë realiste. Për të rregulluar akte ligjore apo nënligjore, për të cilat ne jemi në tryezat dhe komunikimet gati të përditshme që kemi krijuar tashmë, këto tre muajt e fundit të paktën, me komunitetin e biznesit.

Një rol tjetër i cili nuk është absolutisht dytësor, pavarësisht se e rendita në vend të dytë është fakti që ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është në kontakt të drejtpërdrejt me çdo sipërmarrës, jo vetëm me grupe interesi dhe shoqata apo dhoma të tregtisë, për të menaxhuar apo për të këshilluar ata në veprimtarinë e tyre, sa herë ata kanë probleme me procedura apo me veprimtari të ndryshme, sidomos të fushës së inspektimeve dhe të plotësimit të nevojave të tyre me leje, licenca dhe autorizime. Për të zgjidhur 100% të gjitha ngërçet që ata hasin në administratë, për të plotësuar të drejtat e tyre ligjore nga njëra anë dhe nga krahu tjetër për të krijuar pikërisht këtë klimë të re komunikimi dhe këtë akses të fortë në këtë mandat qeverisës duam dhe i kemi dhënë ndërkohë sipërmarrjes në kabinetin qeveritar.

Ndaj mendoj që edhe në kuadrin e projektit të madh rajonal të krijimit të zonës ekonomike rajonale mendoj që në bashkëpunim me zonjën Harito dhe me biznesit, zyra dhe vetë ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që unë kam fatin ta përfaqësoj në këtë kabinet, do të jetë ajo urë lidhëse. Sepse në fund të fundit kjo zonë ekonomike krijohet për biznesin. Pra, do të jetë biznesi ai i cili do të zhvillojë potencialet e veta të veprimtarisë ekonomike pikërisht brenda kësaj zone.

Prandaj dhe nëqoftëse nuk gjejmë ato hallka të përbashkëta të lidhjes dhe të komunikimit, pra duke shkrirë ato kufij në thonjëza, për të krijuar ura bashkëpunimi të bizneseve me njëra tjetrën dhe nëqoftëse nuk arrijmë të koordinojmë kuadrin ligjor dhe administrativ në mënyrë të përshtatshme në mënyrë që të vetërregullohen në këtë zonë të lirë ekonomike, nuk do të mund ta bëjmë dot realitet. Kështu që, me këtë rast lancoj edhe paktin që ne jemi të hapur dhe mirëpresim çfarëdolloj sugjerimi që ka lidhje me këtë raport. Në fakt ne kemi filluar tryezat e para të komunikimit edhe për zonën ekonomike rajonale, në bashkëpunim me zyrën përkatëse në kryeministri dhe mendojmë që në një komunitet me gati 20 milionë banorë, ku vetë e gjithë zona ekonomike rajonale ka arritur një rritje ekonomike mbi 8% së fundmi, mendojmë që mund të jetë një tokë e përshtatshme le të themi për të dhënë fryte të mira të zhvillimit të ekonomisë së kësaj zone, me qëllimin e vetëm që të zgjerojmë aktivitetet e sipërmarrjes midis vendeve tona, por edhe të nxisim sa më shumë investime të huaja të tjera në këtë zonë ekonomike për ta bërë sa më shumë atraktive dhe të rrisim punësimin dhe të gjithë elementet e tjerë që janë shumë të mirëpritur në çdo qeveri dhe për të cilën qeveritë punojnë përditë: rritje ekonomike dhe nxitje të punësimit.

Ju falenderoj