Pas vrasjes së Ivanoviç, Presidenti Vuçiç viziton Kosovën në fundjavë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të vizitojë veriun e Kosovës në fundjavë. Sipas mediave, kreu i shtetit do të zhvillojë bisedime me serbët e Mitrovicës e Graçanicës për një sërë temash të ndryshme, përfshi edhe vrasjen e bujshme të politikanit serb Oliver Ivanoviç, një ditë më parë. 

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të vizitojë këtë fundjavë Kosovën. Mediat serbe raportojnë se kreu i shtetit do të ndalet fillimisht në Mitrovicë e më pas do të udhëtojë drejt Graçanicës, për të biseduar me popullsinë serbe që jeton në Kosovë dhe Metohijë. Njoftimi për vizitën e Vuçiç në Kosovë vjen pas vrasjes në Mitrovicë të politikanit Oliver Ivanoviç, udhëheqës i Iniciativës Qytetare Serbe.

Ngjarja shkaktoi reagime të menjëhershme dhe çoi në pezullimin e dialogut dypalësh Kosovë-Serbi që zhvillohej me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në Bruksel. Ishte Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç ai që komunikoi se bisedimet mes palëve nuk do të vijonin derisa Serbia të marrë përgjigje për vrasjen e Ivanoviç.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj apeloi një ditë më parë që akti makabër të mos përdoret politikisht nga asnjë palë. Kreu i ekzekutivit dënoi ashpër krimin e ndodhur në Mitrovicë, ndërkohë që gjithashtu ftoi edhe Byronë Federale Investigative (FBI) në hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Me tone të forta, kryeministri Haradinaj theksoi se Prishtina nuk mirëpret ndërhyrjen e askujt në rendin dhe ligjin në veri të Kosovës.