Rreziku i pallatit në Gjirokastër, banorët në ”ajër”

Pallati 5-katësh në lagjen ”Punëtori” në Gjirokastër, edhe pse në ditën e 8-të pas rrëshqitjes së tokës, vijon të paraqesë situatë shqetësuese për banorët. Studimi paraprak i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar thekson trajtimin e hershëm të prezencës së fenomenit të rrëshqitjes dhe rrezikut që paraqet për këto zona.

Në këtë studim pohohet se përpilimi i një raporti mbi kushtet gjeologo-inxhinierike të rrëshqitjes së ndodhur në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër daton që në vitin 2001, ndërsa në prill të 2011 është hartuar një tjetër raport që paraqet rrezikshmërinë e banesave të ndodhura në lagjen “Cfakë”.

Por me sa duket të gjitha këto studime e raporte nuk janë marrë parasysh, ndërsa situata është rënduar duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve që tashmë ndodhen në situatën e delegimit të përgjegjësive, ndërsa autoritetet nuk po marrin parasysh shkallën e rrezikshmërisë së jetës së këtyre banorëve.

Ekzistojnë 7 studime nga autorë të ndryshëm që theksojnë se kodra e lagjes “Punëtore” në të gjithë gjatësinë e saj prej 300 metrash është e rrezikuar nga rrëshqitjet. Në të kaluarën janë regjistruar 5 rrëshqitje të rëndësishme në këtë zonë, që gjeologët kanë këshilluar të merren në konsideratë.