Pabarazia në mbrojtjen sociale – Vetëm 9% të PBB, fëmijëve dhe të rriturve i`u mbeten “thërrimet”

Në Shqipëri shpenzimet e shtetit për mbrojtjen sociale fiksohen në vetëm 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bëhet fjalë për shpenzimet për mbrojtjen sociale duke përjashtuar shpenzimet shëndetësore. Të dhënat janë publikuar në një raport të Organizatës Botërore të Punës, të publikuar së fundmi.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit apo mesataren europiane, Shqipëria është në pozita mjaft të dobëta në këtë drejtim. Madje, kjo pozitë rëndohet edhe më shumë në rast se shohim se si shpërndahen realisht paratë e mbrojtjes sociale. 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shpenzohet për pensionistët, ndërkohë që vetëm 2% e PBB, ose 22.2% e shpenzimeve totale për mbrojtjen sociale, pa përfshirë shëndetësinë, shkojnë në të vërtetë për fëmijët dhe grupmoshën e punës.

Pra, shpërndarja është tepër e pabarabartë dhe edhe në këtë drejtim, distanca me të tjerët është mjaft e theksuar.

Vendet më të zhvilluara të Europës shpenzojnë 1/5 deri në ¼ e prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen sociale. Në Francë norma ngjitet në 22% apo në Serbi në 17%. Shqipëria është në fund të listës së bashku me disa prej ish republikave sovjetike.

Një raport i fundit i Eurostat, zbulon se mesatarja e Europës fiksohet në 30% të PBB. Pra, thuajse një të tretën e PBB shpenzime për mbrojtjen sociale, por duke përfshirë shpenzimet për shëndetin. Shpenzimet për mbrojtjen sociale janë ndoshta treguesi më I mirë I një shteti, nëse ky I fundit është shtet social apo jo.