Rritet numri i viktimave nga përmbytjet, 26 vjeçari gjendet i mbytur

Shkon në tre numri i viktimave nga përmbytjet. Një 26-vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal në fshatin Barbullush të rrethit të Shkodrës. Policia lokale bëri me dije se rreth orës 12:50 të ditës së sotme, është gjetur nga kalimtaret në një kanal kullues, trupi i pajetë i një personi  i seksit mashkull.

“Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku kanë konstatuar se  viktima është shtetasi R.B. 26-vjeç, banues në Barbullush, i cili është dërguar në Morgun e Spitalit Rajonal Shkodër. Nga këqyrja paraprake mjeko – ligjore, në trupin e viktimës nuk konstatohen shenja dhune apo të ndonjë faktori tjetër të jashtëm”, thuhet në njoftim.

Nga deklarimet e marra rezulton se viktima nuk ka patur konflikte të hapura me persona të tjerë, por kishte probleme mendore, dhe ishte përdorues alkooli, ku dhe dyshohet se shkak i vdekjes është mbytja në ujë.

Policia sqaron pritet ekspertiza e plotë mjeko ligjore për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër,  po punojnë për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.