“Palmat përmbytën autostradën”, Rama: Qesharake! Liqeni i Kasharit është 3 metër nën kuotë

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave është mbledhur sonte në drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Të gjithë ministrat kanë folur për gjendjen në vend nga përmbytjet, duke dhënë informacione për çfarë është bërë dhe masat e marra.

Ndërkohë që nuk ka munguar edhe një përgjigje e kryeministrit Edi Rama në lidhje me akuzat për përmbytjen e autostradës nga mbjellja e palmave që bllokoi kanalizimet. Rama i quajti qesharake këto akuza duke shtuar se Liqeni i Kasharit, për të cilin u tha se u hapën digat, është ende 3 metër nën kuotë.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka: Kemi qenë në një komunikim të vazhdueshëm dhe bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë me të gjitha institucionet shtetërore. Falë bashkëpunimit u kemi ardhur në ndihmë banorëve. 24 orëshi i parë është punuar kënaqshëm. Kemi 5-fishuar prezencën tonë krahasuar me 2015. Kemi bërë dhe ndërhyrje emergjente. Sigurisht që ka nevojë për angazhim po ka nevojë për punë ditë dhe natë për këdo. Bashkëpunimi i deritanishëm është një garanci se 24 orëshi i ardhshëm do të jetë njësoj si ky që kaluam.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj: Kanë qenë 24 orë të vështira, për shkak të bllokimit të disa rrugëve në vend. Kanë qenë të gjithë në shërbim të forcuar, dhe një gatishmëri të plotë. Dua të pohoj se kemi pasur një partneritet me Forcat e Armatosura ka qenë shumë i mirë dhe nëse vazhdohet kështu mund të përballojmë çdo situatë.

Dua të ngre një problem. Në shumë nga këto akse ka ndërhyrje të paligjshme, ka ndërtime objektesh pa leje. Ka ndërhyrje në shtratet e lumenjve apo kanalizime. Pas situatës duhet një vëzhgim në terren për të nxjerrë përgjegjësit.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri: Të gjitha strukturat kanë qenë në terren për përballimin e situatës. Një element pozitiv, fatmirësisht investimet në linjat e hidrovorëve kanë parandaluar përmbytje të tjera. Ka disa zona pa energji. Arsyet janë sepse ne shpesh duhet të stakojmë nënstacionet. Ne duhet të mbrojmë nënstacionet, të mbrojmë investimet por mbi të gjitha të shpëtojmë jetë njerëzish. Situata në kaskadë është e kontrollueshme. Ka një volum shkarkimesh për 700 m kub në sekondë. Këto nuk ndikojnë në përmbytje të mundshme që mund të ketë zona e Nënshkodrës. Fierza është mbyllur për të ruajtur nivelin energjetik. Komani dhe Vau i dejës po funksionojnë normalisht. Infrastruktura portuale e gjitha në funksionim. Situata është normale. Përveç portit të Sarandës që ka ndërprerë linjën e tragetit nga Korfuzi. Ndërhyrja në kohë e disa firmave kontraktore, janë 150 mjete dhe 650 punonjës të angazhuar. Situata është në kontroll, po e ndjekim hap pas hapi.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu: E gjithë struktura e kujdesit shëndetësor në gjendje gatishmërie. Të gjitha spitalet në gjendje gatishmërie. 2500 punonjës të sistemit shëndetësor janë duke punuar 24 orë. Ne kemi marrë masat edhe për ngritjen e ekipeve në çdo qark për situatën e emergjencës. Bashkëpunim me të gjitha strukturat që personeli shëndetësor të mos jetë vetëm në spitale por edhe aty ku ka nevojë. Kemi kryer dy misione shpëtimi në fshatin Nojë të Krujës edhe në Zallbastar të Tiranës. Të gjithë Drejtoritë e Shëndetit Publik në gjendje gatishmërie. Në Fier kemi hapur edhe qendrat e kujdesit parësor, që t’i vijmë sa më shumë në ndihmë qytetarëve. Po monitorohen vlerat e ujit të pijshëm. Shërbimi Kombëtar i Urgjencës i është përgjigjur 832 thirrjeve. Dy situata që janë trajtuar me shpejtësi kanë pasur lidhje me punonjësit e OSHEE-së që janë transportuar në QSUT tek Djegie-Plastika. Është marrë masa që të mos mungojnë barnat. Kemi marrë masa duke kufizuar operacionet.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla: Raportohen rreth 191 institucione shkolle ku ka dëmtime për shkak të reshjeve. Numri më i madh në qarkun e Korçës dhe Gjirokastrës. Po ndjekim hap pas hapi situatën, duke bashkëpunuar me pushtetin vendor dhe shtabet e emergjencave. Veçoj punën e bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Për procesin mësimor do e ndjekim në vijim.

Kryeministri Edi Rama: Do kërkoja ndjesë për ta ndërprerë sepse duhet të shkoj me Ministren e Mbrojtjes në një tjetër zonë.

Fikja e nënstacioneve për të garantuar sigurinë e jetës. Shpresojmë që situata të mos zgjasë përtej parashikimit. Një rol pozitiv kanë luajtur dhe pastrimet e bëra në të dy anët e rrugëve kombëtare përgjatë shtatorit dhe tetorit. Kemi pasur një pikë kritike në autostradë. Pa i hequr asnjë presje asaj që kam thënë, falënderimit për kreun e PD-së për mirëkuptimin që tregoi ditën e mbrëmshme duke ndërprerë diskutimet e kërkuara nga PD për të na dhënë mundësinë të jemi të angazhuar në punë dhe për sot. Nuk kanë munguar zërat e cinizmit për atë që ndodhi në autostradë duke ia vënë fajin palmave. Është qesharake. U hap Bovilla apo Liqeni i Kasharit që akoma është 3 metër nën kuotë. Autostrada u mbyt për shkaqe të tjera dhe mbështet ministrin e brendshëm. Aty është ndërhyrë drejtpërdrejt në sistemin e shkarkimit. Kjo është e qartë.

Duhet t’i shkojmë deri në fund ndjekjes penale. Ju kërkoj ndjesë qytetarëve që janë gjendur në atë befasi. Dua të nënvizoj se pikërisht për këto arsye ne do të vazhdojmë intensivisht punën për rindërtimin e akseve ekzistuese që janë jashtë çdo standardi sigurie dhe për këtë arsye do të rishohim në projektet që po punojmë së bashku me sipërmarrjen të gjithë këta elementë duke paralelizuar punën rindërtuese të akseve kombëtare përmes programit 1 miliard dhe skemave të reja të financimit me punën që po bëjmë në koordinim mes Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Brendshme për të identifikuar ngrehinat që nuk duhet të jenë aty.

Përballë këtyre situatave shteteve shumë më të zhvilluara se Shqipëria ndodh të gjunjëzohen më keq. Njësitë logjistike janë të pamjaftueshme përballë tërbimit të natyrës. Ne jemi sot të mirëorganizuar dhe duhet të vazhdojmë në çdo orë të bëjmë detyrat tona.

Nesër presim një situatë aspak të lehtë sidomos në zonën poshtë. Shpresojmë që do t’i përballojmë me maksimumin e eficiencës.