Ëndrrat e varrosura të minatorit 20-vjeçar. Zona D e vdekjes

Eduard Dama quhet i riu 20-vjeçar nga Fushë Bulqiza që humbi jetën e tij të re nën një masiv gurësh në galeri. Morën fund ëndrrat e 20-vjeçarit, që mori përsipër punën më të rëndë në galeritë e pasigurta të minierës. Një plagë e pashërueshme iu hap dje familjes Dama. Vdekja e të riut, një shtysë më shumë për bashkëmoshatarët e tij t’u arratisur nga fshati dhe nga vendi i tyre.

Emisioni “Le Iene” publikoi pak ditë më parë dokumentarin e shumë diskutuar, në të cilën pasqyrohej varfëria ekstreme në Bulqizë dhe shitja e kromit nga fëmijët e qytetit, që punojnë në kushte të rënda për të ndihmuar familjet në moshë fare të vogël.

Si për ironi, ai reportazh ishte zëri që sot, nesër ose pasnesër një jetë njeriu do të shuhet. Vdekja e 20-vjeçarit ditën e djeshme i cili nuk mundi ti shpëtonte dot masivit të gurëve që ranë mbi të, është një thirrje për t’i kushtuar rëndësi problemit real, atij me të cilin çdo ditë përballen qindra familje dhe që kohë pas kohe faturon jetë njerëzish. Muajin e kaluar, një 30-vjeçar humbi gjithashtu jetën pasi një masiv gurësh ra mbi të dhe në vetëm 6 muajt e fundit janë bërë 4 aksidente të tilla, të cilat kanë përfunduar me tragjedi.

Ngjarja

Humb jetën tragjikisht në minierën e Bulqziës Eduard Dama, 20-vjeçari ishte duke punuar në zonën D. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës, ku Dama është zënë nga një masiv shkëmbor gjatë kohës që ndodhej në galeri.

Minatori ishte duke punuar në thellësi prej 500 metrash, kur i ka rënë masivi i gurëve duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Eduard Dema, banor i Bulqizës nuk është viktima e parë që humb jetën në galeritë e kromit.

Zona D e një kompanie private është e njohur për aksidentet e shumta për minatorët. I riu ishte duke punuar edhe me tre persona të tjerë në masivin e kromit në thellësi të minierës. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Në të njëjtën galeri humbi jetën dy javë më parë një tjetër minator, Eris Keta 30-vjeç.

Shkak për aksidentet me pasoja fatale në miniera është mungesa e sigurisë, pasi prej vitesh në galeritë nuk investohet nga firmat që i shfrytëzojnë.

Reportazhi

Në reportazhin e publikuar nga media italiane, disa fëmijë dëshmonin me zë dhe figurë se puna në mbledhjen e kromit, kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar ta kalonin varfërinë dhe një ditë më shumë.

Vetë gazetarja italiane Alice Martinelli i shoqëroi fëmijët përgjatë një dite pune me mineralet, që ndonëse është më shumë se e rrezikshme, për ta është kthyer në rutinë.

Këto ditë ne mediat e fokusuam vëmendjen tek reagimi i kryeministrit Rama, i cili ndonëse fillimisht e quajti si “reportazh të ndyrë”, e pranoi se një cilësim i tillë ishte gabim. Emisioni italian fokusohet në varfërinë ekstreme që has sot një familje shqiptare.

Rrëfimi i vogëlushit, i cili në vend që të shkojë në shkollë, tregon se gjatë gjithë ditës ka mbledhur krom dhe se ka arritur të fitojë vetëm 100 lekë të reja.