Ministri Klosi: Fund gangrenës së varrezave të makinave

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi mori pjesë ditën e djeshme në panairin “Auto Sallon Tirana 2017” dhe Automotive Forum të organizuar nga Expocity Albania ku ishin të pranishëm koncesionarët më të mëdhenj të automjeteve në vendin tonë.

Gjatë diskutimit me përfaqësues të kësaj industrie ministri Klosi ndau shqetësimin për ndotjen e mjedisit dhe përfshirjen e të gjithë faktorëve në procesin e pastrimit të Shqipërisë. Ministri Klosi u shpreh se pastrimi i Shqipërisë nuk ka nevojë vetëm për një  aksion të madh por edhe për ndërtimin e një sistemi që nuk lejon që Shqipëria  të ndotet përsëri. Ministri vuri në pah se kjo luftë është në tre aspekte; pastrimin e tokës, ujit dhe të ajrit.

Duke u ndalur konkretisht realitetin e makinave të fund të jetës, ministri Klosi e cilësoi të patolerueshme gjendjen në rrugët kombëtare të vendit ku makinat në fund të jetës janë shndërruar në “një gangrenë 27 –vjeçare e realitetit shqiptar”

Në  fjalën e tij ministri Klosi kërkoi një konsensus që në këtë fazë të zhvillimit të kësaj industrie të ketë rregulla për mjedisin dhe të gjendet një dakordësi për çfarë do të ndodhë me makinat të cilat janë tërësisht jashtë përdorimit dhe a do të duhet të jenë ato pjesë e një realiteti të ndotur apo do të duhen teknologji të reja sipas të cilave këto makina të vjetra asimilohen deri në masën 98 përqind. Ministri Klosi kërkoi diskutimin e masave të reja edhe fiskale për të ndihmuar futjen e makinave të cilat premtojnë ndotje sa më të ulët të Mjedisit, përmirësimin e  rinovimit të strukturës së mjeteve,  nxitjen e masave për importimin e mjeteve euro 4, euro 5 dhe 6, përmisimin e cilësisë së karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik si edhe  nxitjen e investimeve private në transportin publik. Në fund të fjalës së tij ministri i Turizmit dhe i Mjedisit ftoi përfaqësuesit e pranishëm që të jenë  pranë institucioneve shtetërore që të gjithë së bashku  të pastrojmë Shqipërinë që duam.

Deklarata e plotë e Ministrit Klosi

Bota ecën me shumë shpejtësi dhe standartet çdo ditë ndryshojnë. Unë e kuptoj që në këtë sallë janë të gjithë koncesionarët e mëdhenj të makinave, por po ashtu di që po këta koncesionarë kanë qenë ata që kanë ndihmuar në një mënyrë apo një tjetër situatën në të cilën ne ndodhemi. Prandaj jemi këtu dhe unë e pranova me shumë kënaqësi ftesën tuaj për të diskutuar për të gjetur një konsensus të përbashkët për të luftuar edhe këtë ndotje të madhe që Shqipëria ka sot. Është një ndotje e cila shkon kryekëput me përpjekjet tona për një Shqipëri më të pastër në të gjitha aspektet. Ministria që unë kam nderin të drejtoj, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e shikon procesin e pastrimit të Shqipërisë si një proces që nuk ka nevojë vetëm për një  aksion të madh që ne do të ndërmarrim për të pastruar gjendjen aktuale, por duam shumë më shumë se kaq që së bashku të ndërtojmë një sistem i cili nuk na lejon që ta ribëjmë prapë pis Shqipërinë. Ne e kemi nisur këtë luftë në tre aspekte; pastrimin e tokës, pra kudo që gjejmë ndotje të tipeve të ndryshme, të ujit dhe të ajrit.  Së bashku me ju po ndajmë dy shqetësime: të pastrojmë atë që ndodhet në ambjent dhe të pastrojmë atë që ndodhet në ajër.  Unë e kuptoj shumë mirë dhe jam shumë dakord që ne së bashku të ndërtojmë politika që si të pastrojmë realitetin në radhë të parë nga një gangresë 27 –vjeçare e realitetit shqiptar, atë të varrezave të makinave. Është e patolerueshme që gjen varreza makinash në çdo cep të Shqipërisë. Por po ashtu dhe ketu  jeni të gjithë pjesë e këtij realiteti që në cdo cep në çdo kryqëzim, në çdo  rrugë kombëtare, gjen një dyqan të madh makinash a thua se Shqipëria është tregu më i madh i makinave që shiten kudo dhe në çdo cep. Nga veriu në jug shikon makina të parkuara që bëhen pjesë e këtij tregu të madh që edhe u përfaqësoni. A mund të tolerohet kjo? Në cilin vend të Europës, cdo rrugë kombëtare që kalon shikon o varreza makinash, o makina në shitje. Prandaj duhet të gjejmë një konsensus që në këtë fazë të zhvillimit të kësaj industrie duhet që të kemi edhe rregulla për mjedisin, edhe rregulla për syrin e qytetarëve të thjeshtë të cilët nuk kanë pse të bombardohen me këto dy aspekte. prandaj ne do të kërkojmë shumë që së bashku me ju të biem në dakordësi, ç’do të ndodhë me varrezat e makinave, ç’do të ndodhë me makinat të cilat janë tërësisht jashtë përdorimit a do të duhet të jenë ato pjesë e një realiteti të ndotur apo do të kemi teknologji të reja të cilat ju i njihni shumë më mirë sesa ne administratorët publikë sesi këto makina shpërbëhen dhe ajo që ndodh në fakt në të gjithë rajonin e padyshim në të gjithë Evropën, këto makina të vjetra asimilohen deri në masën 98 përqind. Ne vazhdojmë të kemi varreza makinash nëpër rrugët kombëtare. Po ashtu diskutimi jonë dhe këtu futemi pak në një diskutim më teknik që ka të bëjë se me çfarë prioriteti do të ketë  tregu kombëtar i makinave ne jemi shumë dakord me atë që ngrihet nga komuniteti juaj që në fazën ku ne jemi  të vazhdojmë të rrisim dhe të krijojmë së bashku një ndjesi se kështu nuk mund të vazhdohet. Grafiku i treguar nga përfaqësuesja e Auto Albania-s është në fund të fundit edhe problemi ynë më i madh. Si do të bëjmë që të kufizojmë hyrjen në Shqipëri, të makinave të vjetra, si do të bëjmë që me duart tona, me atë tolerimin tonë klasik të shumë e shumë problematikave, ne të tolerojmë që ta vazhdojë Shqipëria të mbushet me makina që janë afër fundit të jetës së tyre. Dhe kjo nuk bëhet vetëm duke thënë që jo nuk do e lejojmë por kjo siç edhe u propozua këtu ka nevojë që ne të marrim së bashku masa dhe lehtësira për futjen në treg të makinave më afatgjata. Unë do të isha shumë dakord që në këtë diskutim të sotëm në panairin tuaj, të flisnim drejtpërdrejtë edhe për makinat elektrike, të cilat janë një tendencë e kohës dhe që kërkohen gjithmonë e më shumë dhe ka shembuj edhe në Shqipëri të përdorimit të tyre, edhe efikas, edhe të kursyer, por natyrisht me norma shumë herë më të ulëta se makinat diesel përsa i përket ndotjes së ambientit. Prandaj të nderuar miq, synimet e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit janë që së bashku me ju të kemi një radikalizim të masave për të penguar këtë eksponencial të padëshiruar të rritjes së jetëgjatësisë së makinave në Shqipëri.  Jemi këtu së bashku me ju për të diskutuar masa të reja edhe fiskale për të ndihmuar futjen e makinave të cilat premtojnë ndotje sa më të ulët të Mjedisit dhe po ashtu të teknikave të reja për të futur makina të cilat janë sot tendencë nëpër vendet më të zhvilluara të Evropës. Ne duhet të përmirësojmë rinovimin e strukturës së mjeteve nxitjen e masave për importimin e mjeteve euro 4, euro 5 dhe 6 dhe për të përmisuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik. Pra ne jemi këtu në një debat fare të hapur me ju, një debati që tashmë vjen shumë mirë edhe nga komuniteti juaj, sepse ky është në fakt realiteti, ne si institucione publike duam shumë që të marrim mendimin e njerëzve dhe ekspertëve të fushës,  njerëzve që kanë interes që këto politika të zhvillohen në të mirë të qytetarëve në radhë të parë, por të kemi padyshim edhe një përpjekje që bizneset tuaja tashmë në kuadër të luftës së madhe që kemi kundër informalitetit të jenë më të sigurta, të jenë më të mbështetura dhe të shkojnë në të njëjtën linjë me kërkesën tonë të vazhdueshme për të rritur ekonominë e këtij vendi.

Edhe njëherë shumë përgëzime për sukseset e arritura deri tashmë edhe në panairin e sotëm, suksese edhe përgëzime në përpjekjet tona të përbashkëta që situata të ndryshojë dhe padyshim ju bëj thirrje edhe njëherë që të jeni pranë institucioneve tona, qoftë atyre qendrore, por qoftë edhe lokale me gjithë problematikat që ato kanë në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, që të ngrini çdo shqetësim që ju keni, të ngrini çdo problematikë që afishohet në punën tuaj të përditshme dhe jemi këtu që së bashku me ju për të pastruar Shqipërinë që ne duam.