Deputetja e PD: Rigerta vjen në Tiranë për 1 orë, falë “Rrugës së Kombit“

Fjalimi i blegtores nga Mirdita, Rigerta Loku, në sallën e vogël të kuvendit, por që u dëgjua e komentua nga e gjithë Shqipëria, ka shkaktuar debat edhe në rrethin politik.

Deputetja e Vlorës, Nada Meçorapaj, në një postim në facebook, nënvizon faktin se Loku foli për “kantieret e Rilindjes” dhe për “Rilindjen urbane të fshatit”, por nuk tha se në katër vjet qeveria e Ramës nuk ka shtruar asnjë kilometër rrugë në Mirditë. Meçorapaj, shton se qeveria e PD, hapi në mes maleve të ashpra të Mirditës “Rrugën e Kombit”.

Kërkesa e Lokut, për ”rrugë dhe ujë”, është për të gjithë Shqipërinë, nënvizon më tej deputetja e PD-së, madje ajo sjell edhe pasqyrimin gjatë fushatës zgjedhore në qarkun e Vlorës. ”Duam rrugë dhe ujë, e kam dëgjuar me mijra herë në të gjitha lagjet, fshatrat dhe cepat e Vlorës gjatë majit dhe qershorit, kur bëja fushatë si kandidate e opozitës. Rrugët dhe uji ishin një refren i pandalshëm i kërkesave të qytetarëve për ne”,-shkruan më tej deputetja e PD-së.

Ja mesazhi i  Meçorapajt:

Me emocion dhe kureshtje e ndoqa fjalimin e Rigerta Lokës, një zonjë nga Mirdita që u bë deputete për një ditë, dhe solli shqetësimet e saj, të shoqes së vet Kristinë, të bashkëfshatarëve dhe të gjithë zonës. “Duam rrugë dhe ujë”, tha Rigerta duke risjellë kërkesën e shoqës së vet dhe duke shtuar nga vetja “edhe shkolla”. “Duam rrugë dhe ujë”, e kam dëgjuar me mijra herë në të gjitha lagjet, fshatrat dhe cepat e Vlorës gjatë majit dhe qershorit, kur bëja fushatë si kandidate e opozitës. Rrugët dhe uji ishin një refren i pandalshëm i kërkesave të qytetarëve për ne. Megjithatë, në një pikë ndahem me Rigertën. Ajo foli për ‘kantieret e Rilindjes’ dhe për “Rilindjen urbane të fshatit”, por nuk tha se në katër vjet qeveria e Edi Ramës nuk ka shtruar asnjë kilometër rrugë në Mirditë. Nuk tha gjithashtu se qeveria e Partisë Demokratike, ku Sali Berisha ishte kryeministër dhe Lulzim Basha ministër përgjegjës, hapi në mes maleve të ashpra të Mirditës “Rrugën e Kombit”. Atë rrugë që i sjell mirditorët dhe Rigretën në Tiranë për 1 orë.