“Krimi dhe shitblerja e votës, tragjedia elektorale e zgjedhjeve të 25 qershorit”

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi sot zyrtarisht për raportin përfundimtar të OSBE /ODIHR, për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari në një deklaratë për mediat u shpreh se dokumenti i vëzhguesve ndërkombëtarë faktoi se shitblerja e votave ishte tragjedia e zgjedhjeve.

Braimllari citoi pjesë nga raporti ku theksohet se në zgjedhje pati kandidatë dhe mbështetës që ishin me precedentë penalë dhe ndikuan në mbarëvajtjen e procesit. “U provua gjithashtu qartë që presioni dhe dhuna, e mbështetur edhe nga policia, nuk mungoi as ditën e votimit dhe se si vota e qytetarëve u shit dhe u ble sheshit edhe përpara qendrave të votimit”,- tha Braimllari. Përfaqësuesi i LSI-së shtoi se misioni i opozitës është denoncimi i gjithë parregullsive dhe farsës elektorale të 25 qershorit.

Reagimi i LSI-së vjen vetëm pak orë pasi u publikua dokumenti më i rëndësishëm i ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Raporti fakton se zgjedhjet patën probleme të rënda dhe blerja e votës ishte e përhapur. Dokumenti i rekomandon klasës politike që eliminojë shitblerjen e votës në zgjedhjet e ardhshme.

Raporti është komentuar dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se dokumenti provoi se shqiptarët nuk zgjodhën të lirë, por zgjedhjet ishin ankand.

Ndërkohë Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me këtë dokument. Pak orë para se të publikohej raporti, kryeministri Edi Rama e përmendi shkarazi në Kuvend. Ai tha se raporti vlerëson standardet. Ndërkohë që dokumenti nuk flet në asnjë pikë të tij për standarde të arritura. Përkundrazi, raporti fakton se zgjedhjet u bënë pis nga blerja e votës dhe ndikimi i krimit gjatë fushatës.

Problemet me zgjedhjet u denoncuan nga LSI-ja gjatë fushatës dhe ditën e votimit. Janë me qindra raste të publikuara në media për blerje votash, dhunë të bandave dhe kërcënime të administratës. PS-ja në atë kohë i cilësoi si ankesa të paprovuara. Ndërkohë që sot OSBE/ODIHR citon vëzhguesit e saj si dëshmitarë të këtyre ngjarjeve.

Konferenca e plotë për shtyp e Deputetit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari:

“Kryeministri i vënë përpara përgjegjësisë tepër të rëndë të shkatërrimit të zgjedhjeve të 25 qershorit belbëzoi dje përpara Parlamentit dhe nuk guxoi të lexonte as edhe një fjali të vetme për raportin e OSBE-së për zgjedhjet.

Jemi sot përpara jush për tu treguar të gjithë shqiptarëve se çfarë tragjedie elektorale u gatua në 25 qershor dhe që raporti i OSBE/ODIHR e konfirmon.

Në raportin e OSBE/ODIHR shkruhet qartazi, e zeza mbi të bardhë, që zgjedhjet e 25 qershorit u zhvilluan në kushtet e mungesës së thellë të besimit të qytetarëve kundrejt procesit zgjedhor. Vota e qytetarëve u deformua nga presioni, dhuna dhe shit-blerja.

Në raport theksohet: “Fushata u karakterizua nga akuza të shumta të blerjes së votës, shqetësime mbi abuzimet me resurset shtetërore dhe presione për vendin e punës në këmbim të votës. E gjithë kjo uli ndjeshëm besimin e publikut”

“Shumë prej vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it shprehën shqetësim që individë me precedentë kriminalë kanë luajtur rol të rëndësishëm gjatë fushatës, qoftë si kandidatë, qoftë si mbështetës.”

“Shqetësime janë ngritur ditën e zgjedhjeve për grupe individësh që rrinin pranë qendrave të votimit për të intimiduar votuesit”

“Një numër i madh incidentesh të dhunshme kanë ndodhur gjatë fushatës elektorale”.

Është e qartë pra për çdo shqiptar, që vota e tyre u shit dhe u ble masivisht nga paratë e drogës dhe të krimit.

U vulos përfundimisht që, policia dhe kriminelët u bën njësh dhe kriminelët qenë edhe kandidat për deputet edhe u mbështetën nga kriminelë të tjerë në fushatën elektorale.

Si asnjëherë më parë, Kodi Zgjedhor u dhunua dhe praktikisht zgjedhjet u kryen në shkelje të ligjit zgjedhor, si precendent i parë në 25 vite pluralizëm.

U provua gjithashtu qartë që presioni dhe dhuna, e mbështetur edhe nga policia, nuk mungoi as ditën e votimit dhe se si vota e qytetarëve u shit dhe u ble sheshit edhe përpara qendrave të votimit.

Raporti provon qartë që vota e lirë e shqiptarëve si themel i demokracisë, ka pësuar goditjen e saj më të rëndë dhe opozita shqiptare ka sot përgjegjësi shumë herë më të mëdha për të demaskuar çdo ditë dhe çdo orë, krimin elektoral të 25 qershorit dhe kryepërgjegjësin e tij, Edi Rama.

Ky është një mision i opozitës, jo për objektivat e saj politike, por për të kthyer dinjitetin e çdo shqiptari, i cili ndihet i kërcënuar në lirinë e votës së tij shumë më shumë se sa në fillimet e pluralizmit. Për këtë arsye asgjë nuk do të na ndalë, për t’ia treguar këtë gjë edhe shqiptarit më të fundit.

Reforma zgjedhore që pritet të fillojë, duhet tu japë përgjigjen e parë dhe të menjëhershme shit-blerjes së votës dhe kriminelëve pjesëtarë të listave apo mbështetës, në qoftë se ajo do të jetë një reformë e vërtetë zgjedhore.

Pa u dhënë përgjigje dhe pa u gjetur këto zgjidhje, që përbëjnë thelbin e demokracisë, nuk mund të ketë reformë të vërtetë zgjedhore”.