Nuk ndalon Imami i Tiranës: Më vjen rëndë të kem si hero kombëtar, Skenderbeun!

Nuk ndalon Imami i Tiranës. I ftuar në emisionin Dritare me Rudinën, Imami Armand Ali tha se Skënderbeu është hero i krishtërimit dhe Venedikut dhe se askush nuk mund ta detyrojë ta dojë.

Por nga ana tjetër , Imami shtoi se ai asnjëherë nuk e ka sharë Skënderbeun apo të ketë kërkuar heqjen e bustit. Nëse vërtetohet një gjë e tillë ai do t’i kërkojë falje. “Mua më vjen rend të kem për hero, një simbol që  luftonte për flori në hesap të kryqëzatave të krishtera. Jam mysliman dhe kjo bie ndesh me besimin tim.

Debatin nuk e ndeza unë, ai filloi një ditë më parë nga shumë njerëz, të cilët kërcënonin me fjalë nga më të renda në rrjete sociale.

Pasi u bë nami se ishte mbuluar Skënderbeu, e provokuar nga portali “Feja e Shqiptarit është Evropa”.  Unë nuk e shava në asnjë moment Skënderbeun, pasi nuk ma lejon feja. Ajo që kam folur unë është nga pikëpmaja fetare. Skënderbeu u rrit si mysliman dhe pastaj ndërroi fe, ai në gjuhën fetare quhet khauarixh, njeri rebel.

Në pikëpamjen islame, një njeri i tillë nuk mund të konsiderohet hero. Ju mund ta shpallni dhe Edi Ramën, pas 100 vjetësh hero. Ju nuk mund të më detyroni ta dua një të vdekur apo një njeri të gjallë.

Ka njerëz që duan të më fusin plumbin, nga Facebook, për Skënderbeun, por siç thashë, unë nuk e kam sharë në asnjë moment, e gjitha është nga pikëpamja fetare. Unë nuk kam thënë në asnjë moment të hiqet busti i Skënderbeut, e nëse vërtetohet të kem thënë një gjë të tillë, do shkoj t’i kërkoj falje Skënderbeut. Do t’i dal përpara bustit dhe kombit, e do t’i them më fal o Skënderbe.

Mua më ka rënë në pjesë të jetoj në këtë vend, që ka 1001 të zeza dhe unë si mysliman në zemrën time kam Kuranin, ajo është e para për mua. Por, unë mundohem të respektoj edhe ligjet e këtij vendi, të cilat ndryshojnë gjithmonë, e respektoj shtetin.

Fakti që nuk njeh Gjergj Kastriotin Skenderbeun si Hero Kombëtar, mbetet pikëpyetje e madhe, kur çdo komb me fe të ndryshme heroin e vet kombëtar e nderon dhe përulet. Në Shqipëri duan ta nxjerrin Heroin kombëtar, hero të krishterimit, një mënyrë për të futur përçarjen.