Gega përgjigjet: U dëmtova nga kushtet e vështira, më vjen keq që Shqipëria nuk u përfaqësua

Atletja Luiza Gega ka thyer heshtjen teksa ka folur për dëmtimin që e la jashtë Botërorit të Londrës duke bërë që Shqipëria të mos ketë asnjë përfaqësues.

Dëmtimi i Gegës kishte krijuar edhe shumë konfunzion pasi ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës që ngrinte pretendime se sportistja e përdorte këtë si pretekst për të mos marrë pjesë në Botëror pasi dëmtimi sipas tij nuk ishte kaq i rëndë.

Gega për “tv klan” shpreh keqardhjen për tërheqjen, për shkak të dëmtimit në tendinën e akilit.

“Finalen e kisha të sigurt. Kjo më vret më shumë se Shqipëria nuk u përfaqësua, Federata nuk u përfaqësua”, shprehet Luiza Gega. Gjithashtu, sportistja e vetme përfaqësuese kuqezi në Londër, kohët e fundit është stërvitur në Dardhë, por ky terren, sipas saj, e ka penalizuar.

“Sportisti e përjeton më shumë se kushdo tjetër. Për të garuar me elitën duhet të stërvitem në kushte të mira, por jam stërvitur në kushte të vështira sepse jashtë nuk ë përballoj dot financiarisht”, tregon ajo.

Dy ditë më parë, trajneri Taulant Stërmasi u shpreh se dëmtimi erdhi në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm. “Jemi munduar që të evitojmë dëmtimet pasi ishte e vetmja gjë që mund të ndalte Luizën në progresin e saj në garën e saj të 3000 m/p. Po kalonte një formë shumë të mirë sportive, por ndonjëherë nuk është fati me të.

Sigurisht, dëmtimi vjen për disa shkaqe të parashikuara e të paparashikuara. Infrastruktura e munguar ka qenë një nga shkaqet kryesore që la jashtë këtij Botërori Luizën. Në këto raste, unë e Luiza jemi të vegjël para këtyre problemeve që sado të mundohemi, nuk ngelin zgjidhjet në dorën tonë”, theksoi trajneri Stërmasi.

Gega në Botërorin e Londrës do të garonte të mërkurën në mbrëmje në garën e 3000 m/p.