Edi Rama në televizionin francez TV5 dhe turistët francezë të Qerretit

Ky është turizmi shqiptar; një vend i bukur, por pa qeverisje. Nuk funksionojnë kontrollet në plazhe dhe nuk ka roje apo mjekë, aty ku turistët mbushin bregdetin shqiptar. Por mungon edhe energjia elektrike e ku gjeneratorët gumëzhijnë sikur të jetë në plazhet e Sirisë, ku dritat ikin pas çdo bombardimi ajror!

Sot u bëmë dëshmitarë të ikjes së energjisë elektrike dhe ujit të pishëm në zonat turistike të Qerretit, ku ka plot turistë francezë dhe gjermanë.

Nuk ka drita prej orësh e ku shikoje qirinjë nëpër ballkone dhe brenda shtëpive të plazhit, sikur të ishe në një ceremoni kishtare mortore. Sikur ceremonia thoshte se jemi në mortjen e plazhit dhe turizmit për fajin e qeverisë.

-Po si ka mundësi që kemi parapaguar disa apartamente në Qerret për 10 ditë, por dritat ikin e vijnë dhe ikin pa ndalesë?!- pyet një grup turistësh francezë, të cilët i kishte sjellë një intervistë e kryeministrit Edi Rama dhënë në TV5.

– Ndoqëm kryeministrin tuaj në televizionin francez ku tha se kemi një vend të shkëlqyer dhe mos humbisni për ta vizituar! Një vend ekzotik, thoshte kryeministri juaj. Kur e pyeti gazetarja jonë për mungesën e dritave se kemi lexuar në Le Mond, ai tha se “janë brockulla mediatike. Kemi drita 24 orë, do gjeni gjithçka në Shqipëri”- këto thonin turistët francezë në Qerret (Kavajë) dhe të tmerruar nga mungesa e dritave dhe ujit të pishëm telefonin agjensinë që i kishte sjellë nga Franca në Tiranë. Agjensia u përgjigjej se ” nuk kemi ç’tu bëjmë, por kujdes mos dilnin natën , pasi edhe mund t’ju vjedhin e grabisin”.

Dhe mblodhën plaçkat nga Qerreti, në errësirë për t’ju drejtuar të nesërmen Malit të Zi.

-Atje ka drita dhe ujë të pishëm- u kishte telefonuar agjensia turistike shqiptare.

Ikën tre grupe turistësh francezë nga Qerreti. Pas tyre edhe turistët e tjerë.

-Kjo është Shqipëria! Në TV5 kryeministri juaj ishte veshur bukur dhe fliste po aq bukur- thonin francezët në Qerret.