Kumbaro: Nuk mund të bëjmë shtetin që duam pa bërë reforma shumë të thella

Në vijim të turit, “Bashkëqeverisja me njerëzit”, deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës Mirela Kumbaro është ndalur në Libohovë.

Në bashkëbisedimin me libohovitët, Kumbaro tha se  në këto katër vite jo çdo gjë ka shkuar siç duhet, ndaj për çdo shërbim të munguar duhet të ketë përballje me njerëzit deri në qelizën më të fundit.

 “Nuk mund të bëjmë shtetin që duam pa bërë reforma shumë të thella. Ajo që kemi prioritet është kryerja e reformave që do të  fillojë me punën e qeverisë së re. Duke qenë të ndërgjegjshëm se jo çdo gjë ka funksionuar siç duhet, sidomos në shërbimet ndaj qytetarit, në administratë, e cila nuk rregullohet vetëm me një urdhër të kryeministrit, nuk mund të rregullohet vetëm me vullnetin e qeverisë nëse deri në qelizën më të fundit nuk ka përballje me publikun, me njerëzit. Dhe është pikërisht ky komunikim, kjo platform që ne kemi vendosur që në datën 26, arsyeja pse të gjithë deputetët e PS-së sot janë në terren për të prekur ato pjesë ku gjërat nuk janë bërë mirë, në mënyrë që të sigurojmë në katër vitet që vijnë bashkëqeverisjen që duam, atë në koalicion me njerëzit, me ju”, tha Kumbaro.

Ndërsa banorët e Libohovës vunë theksin tek disa nga problemet kryesore që ata kanë ndeshur nga investimet në bujqësi, subvencionet selektive apo edhe shërbimi jo i mirë në zyrat shtetërore.

Qytetari 1:  Deri sot subvencionet në bujqësi e blegtori janë bërë në mënyrë selektive.

Qytetari 2: Kam gati me të gjitha dokumentat edhe është e pamundur të marrësh certifikatë, as të tokës bujqësore, as të shtëpisë, as të tokës që kam blerë. Thuhet që jo subvencionohen fermerët ashtu e kështu, por deri më sot absolutisht asgjë.

Qytetari 3: Administrata jonë shtetërore është e dobët, ku edhe njerëzit e aftë nuk e kryejnë detyrën siç duhet. Kërkoj ta çosh në Këshillin e Ministrave  forcimin e kontrollit shtetëror mbi administratën, nëse nuk forcohet kontrolli nuk mund të bëjmë dot shtet ligjor.