“Unë do flas javën tjetër!” 31 mijë eurot që “pengojnë” Josën të shprehet për Tiranën

Ekipi i Tiranës ndërpreu dje me konsensus kontratën me trajnerin Mirel Josa duke i dhënë fund bashkëpunimit që zgjati më pak se një vit kalendarik futbolli, për afërsisht 8 muaj.

Sot janë zbuluar detaje të reja sa i takon ndarjes me “konsensus” mes dy palëve që për të arritur deri në këtë pikë u janë dashur më shumë se dy javë, raporton “panorama sport”.
Josa-tregon-oren-470x313
Josa nën drejtimin e bardhebluve përfitonte pagë mujore 4500 euro dhe që nga momenti kur u ul në stol për herë të parë, nuk i ka kaluar në llogari asnjë qindarkë. Me një llogari të thjeshtë, i bie që Tirana i detyrohet Josës afro 31.500 euro. Pas “paktit” të arritur dhe garancisë që javën tjetër do të shlyhet, është gjetur gjuha e përbashkët dhe rrjedhimisht ka ardhur “divorci”.

KONFIRMIMI I JOSËS

Mirel Josa ka konfirmuar largimin e tij, megjithatë saktëson se javën tjetër ka për të mbyllur “hesapet” financiare. “Unë do të flas javën tjetër, pasi të mbyllen që të gjitha detyrimet që ka klubi karshi meje. Ndoshta do të dal me ndonjë konferencë për mediat, megjithatë mund të konfirmoj vetëm kaq fillimisht, që prej ditës së sotme (dje) nuk jam më trajner i Tiranës”, u shpreh shkurtimisht trajneri për “Panorama Sport”, i cili e drejtoi Tiranën për 27 javë kampionat.

ODISEJA E “DIVORCIT”
14882265_1776338809288900_2526008005802622131_o-470x313
Që pas mbylljes së kampionatit, kur Tirana ra nga kategoria për të parën herë në historinë 97-vjeçare, pritej largimi i trajnerit. Megjithatë, kjo gjë nuk ndodhi, pasi bardheblutë kishin për të luajtur edhe një finale, atë të Kupës së Shqipërisë. Kryeqytetasit fituan ndaj Skënderbeut dhe rrjedhimisht kanë të drejtën që të luajnë në Ligën e Europës.

Megjithatë, “letargjia” shoqëroi ambientin bardheblu që pas 31 majit. Edhe pse kontaktet mes trajnerit dhe presidentit kanë qenë të vazhdueshme, mungonte konsensusi. Madje, u kuptua qartazi që çështja ngecte te paratë.

Drejtuesit hezitonin që ta shkarkonin nga droja për një tjetër gjyq, ndaj vetë trajneri nuk mund të jepte dorëheqje, pasi kishte rroga të prapambetura. Ndaj, forma e vetme që t’i jepnin drejtim kësaj odiseje ishte konsensusi. Pas 15 ditësh me negociata, shtyrje, driblime dhe “ngritje”, më në fund dje u vendos që kontrata të prishej me vendim prej të dyja palëve. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të shmangur pasojat.