Sërisht në burg, “i fiksuari” pas dhunës ndaj grave

Sërisht pas hekurave i fiksuari pas dhunës dhe përndjekjes ndaj grave. Gers Gjini, në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë, abuzim seksual dhe kanosje ndaj femrave. Ai sot ndodhet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës dhe kësaj radhe për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhune dhe përndjekjes.

Referuar dosjes se prokurorisë, Gjini ka kanosur me një pistoletë një të njohurën e tij dhe ka kryer më të marrëdhënie seksuale me dhunë nën kërcënimin e armës.

Ndaj të dëmtuarës ai ka konsumuar edhe veprën penale të përndjekjes, pasi nuk mund të pranonte faktin që ajo e refuzonte.  Por, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, fundi i këtyre veprimeve ka qenë i njëjtë, pas hekurave.

Tre vite më parë,Gjini ka tentuar të shtypë me makinë në oborrin e gjykatës ish-bashkëshorten shtatzënë, e cila e kishte denoncuar për dhunë dhe kishte marrë urdhër mbrojtje.

Pavarësisht se është dënuar për dhunën e ushtruar, Gjini nuk heq dorë nga dhuna ndaj grave dhe kësaj radhe me krimin që ka kryer, marrëdhënie seksuale më dhunë dhe përndjekje, si dhe me të kaluarën e tij, rrezikon një dënim shembullor që shkon deri në 10 vite burgim.