Mozzik dhe Kida, elektrizojnë sot si kurrë më parë sheshin Skënderbej me “Cocaina”

 Të rinjtë e kryeqytetit do të kenë mundësi që të ndjekin sot nga afër dy nga këngëtarët më të njohur të momentin në Kosovë dhe jo vetëm, Mozzik dhe Kida. Ata do të ngjiten sot në skenën e sheshit “Skëndërbej”, ku do të interpretojnë disa nga këngët e tyre më të njohura siç është një nga hitet e të rinjve “Cocaina”.

 Mozzik është një këngëtar dhe autor këngësh i njohur kosovar, që këndon muzikë hip-hop. Megjithëse është shumë i ri në moshë, është njëri ndër këngëtarët shqiptar më energjik në rrymën e muzikës bashkëkohore. Kida është gjithashtu një këngëtare shumë e njohur, që këndon muzikë pop. Ajo është pjesë e OnRecords, dhe është bërë e njohur për publikun në performancën e saj në skenën e koncertit të DMX të mbajtur kohë më parë. Ajo ka debutuar në skenën muzikore me këngën “Murder”, videoklipi i të cilës ka skena pikërisht nga ky koncert.

 Gjithashtu gjatë koncertit të sotëm përveç këngëve, do të ketë edhe muzikë moderne të luajtur nga DJ Frost dhe DJ Cosmo. Koncerti i dy këngëtarëve kosovar, është i pesti që mbahet në sheshin “Skënderbej” pas rikonstruksionit të tij të plotë. Në katër netët e para sheshi “Skënderbej” ka pritur katër koncerte, fillimisht ai me këngë e valle popullore nga të gjitha trojet shqiptare, ditën e dytë priti koncertin e tre “mosketjerëve”, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda, në natën e tretë priti perfomancën e orkestrës së Radiotelivizionit Shqiptar me muzikë nga filmat e njohur shqiptarë në vite, ndërsa mbrëmjen e djeshme në skenë u ngjit këngëtarja e njohur e muzikës popullore dhe asaj të lehtë, Aurela Gaçe.