U përfshi në fushatë – Ministria e Financave kërkon hetim punonjësin e doganës Kakavijë

Ministria e Financave ka kërkuar nga Prokuroria hetim për një punonjës të doganës së Kakavijës, pasi akuzohet se është përfshirë në fushatën e PS.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se është “informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e z. Erlis Shalari, punonjës i doganës Kakavijë.”

“Nisur nga informacionet, -thotë ministria- Shalari rezulton të jetë përfshirë në mënyrë aktive dhe të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017.”  

Gjithashtu Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë qe të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në perputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Financave thotë se i bën  thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie ne aktivitetet partiake. Ata jane të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)