A do të “vendosë” Lëvizja Vetëvendosje për të ardhmen e Kosovës?

Nga Marjana Doda

Në historinë e Kosovës do mjaftonte lavdia e dikurshme e LDK-s, me në krye Ibrahim Rugovën dhe më pas ajo e UÇK-s, e cila pas fitores me intervenimin e NATO-s më 1999 do shpërbëhej në derivate politike PDK, AAK etj. U formua një shtet me identitet kombëtar por me një kontroll dhe kujdestari ndërkombëtare, gati të shndërruar në një protektorat pa afat. Ndërsa sot jemi në prag të zgjedhjeve të 11- Qershorit në Kosovë, një sfond i ri politik tashmë është shfaqur bindshëm  në shtetin më të ri ende pambushur 10 vjeç.

U desh gjaku i mijërave luftëtarëve, të vrarëve e të zhdukurve që Kosova të fitonte pavarësinë, por fill me krijimin e shtetit të ri mjaftoi që disa pjesëtare të UÇK-së( ashtu si dikur për 45 vjet partizanët në Shqipëri), të uzurponin pushtetin dhe të krijonin një rrjetë nepotike dhe korruptive për t’u “majmur” e folur në emër të popullit e historisë tij. Monitorimi ndërkombëtar do të justifikonte zvarritjen e ecjes me këmbët e veta  të këtij shteti , porse çdo ditë e më shumë “dy patericat” PDK/LDK po duken të vjetëruara për ta ngritur në këmbë këtë “fëmijë-shtet”. Interesat e fuqive rajonale dhe globale si dhe sfidat mes tyre ka bërë që në tërë këto vite të zhvillohet lufta për ta “birësuar”, ndërsa duket sikur ende nuk ka memorie për t’u zhvilluar. Statusi i mbikëqyrjes ka bërë që shtetarët dhe politikanët të ndihen komod e të joshur  nga gjithçka që ju ofron pushteti, ndërsa çdo gjë e rëndësishme që do t’i shërbente fuqizimit dhe integrimit të tij do t’i faturohej mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe të mekanizmave të saj. Ajo çfarë më shumë duhej të ishte si një ideal për Kosovën martire dhe të luftohej për një shtet të zhvilluar, u sfumua gradualisht në luftën për pushtet të dy partive politike që kush e kush kërkonte të merrte flamurin për të treguar se çfarë kishin bërë për lirinë dhe pavarësinë e saj dhe jo çfarë duhej bërë për të ardhmen.

Ndërsa lufta politike në Kosovë më shumë po shndërrohej në luftë brenda llojit, që në përpjekjet e para për liri e pavarësi po lindte një shans i ri i së ardhmes. Në vitet e zjarrta të saj po lindte një forcë e re dhe një lider i ri.  Bashkë me Rrjetin e Aksionit për Kosovën(KAN) më 1997, do të shfaqej aktivisti i këtij rrjeti, Albin Kurti, i cili do të bëhej pjesë e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe do të udhëhiqte protestën historike studentore të 1 Tetorit 1997, e shtypur brutalisht nga regjimi Millosheviçit. Me fillimin e luftës në Kosovë, në gusht 1998 ai do shërbente si sekretar i përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së, Adem Demaçi (njohur si Mandela për lirinë e Kosovës), deri në bombardimet e NATO-s, ku më 27 prill 1999 do të arrestohej nga policia serbe e do dënohej me 15 vite burg për të provuar kalvarin e burgjeve serbe dhe për t’u liruar pas ardhjes në pushtet të presidentit Koshtunica.

Pas daljes nga burgu, politikani “rebel” për pavarësinë e Kosovës, më 12 Qershor 2005 do t’i bashkohej sërish KAN, e cila do të shndërrohej  në një lëvizje  me parullat:”Jo negociata”, por “Vetëvendosje!” duke krijuar kështu në këtë ditë më të fuqishmen lëvizje, e quajtur Lëvizja Vetëvendosje! Kjo  lëvizje politike në themel të saj synon faktorizimin e popullit  në vendimmarrjen politike për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, për një Kosovë sovrane sipas vullnetit të popullit, me të drejtën e vetëvendosjes së brendshme dhe të jashtme dhe pa e penguar në organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike në funksion të interesit të tij.

Kjo Lëvizje tregoi më së miri se do të ishin, veç të tjerave, dhe protestat e saj, si ajo e 10 Shkurt-it 2007 ku do të sakrifikohej jeta e aktivistëve Arben Xheladini e Mon Balaj për protestuar kundër implementimit të Planit Ahtisari  që sovraniteti Kosovës të mos mbetej në duart e të huajve. Pse jo, kjo do të shërbente dhe si një sinjal dhe e drejtë që faktori ndërkombëtar ti bashkohej së drejtës legjitime, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë, më 17 Shkurt 2008, por që duhet kurorëzuar dhe me sovranitetin e plotë të saj.

Por sakaq, a duhet menduar se kjo Lëvizje i paraprinë ndryshimeve të thella politike në Kosovë? Përpos përgjumjes politike të politikanëve e shtetarëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje  u ndesh dhe u përball me vendime deçizive për Kosovën, si; për të parandaluar Zajednicën e Serbisë, të parandalojë bosnjëzimin e saj, faljen e tokës Malit të Zi, ruajtjen e kufijve të Kosovës etj. Duke u ndeshur në rrugë, në parlament e kudo për të zgjuar popullin nga opiumi përgjumjes  që injektohej nga pushteti pasiv dhe korruptiv instaluar me suport ndërkombëtar.

Lëvizja Vetëvendosje! ka qenë e një rëndësie historike për Kosovën popullin e saj, ç’ka e bën atë të jetë një lëvizje me ide dhe ambicie për një shtet funksional dhe pushtet të popullit, ndryshe nga qeverisjet e mëparshme dhe koalicioni më i fundit  qeverisës, që sipas Kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri: ” Republikën e Kosovës e shohin sikur një plaçkë lufte me të cilën bëjnë  si të duan, një pjesë ja japin Serbisë nën kontroll,  një pjesë  e Malit të Rugovës ja japin Malit të Zi, ndërkohë që pjesën e mbetur e ndajnë mes vetes”.

Ndërsa lideri i kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti,  në fjalimin e 21 Majit për prezantimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 Qershorit do të shprehej se:”Ne e shohim shtetin si Republikë dhe ne e duam shtetin Republikë. Republika na mundëson që të jemi qytetarë me të drejta”. Sipas z.Kurti, shteti deri tashmë është ” nënë e dashur për të pasurit dhe njerkë e hidhur për të varfrit” dhe se me qeverinë e Vetëvendosjes kjo do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur një ambicie të theksuar për të fituar zgjedhjet, kjo dhe sipas një sondazhi të datës 21 Mars ku del forcë e parë politike, gjë e cila ka rritur besimin e saj dhe të votuesve deri në vendimin për të dalë e vetme në zgjedhje.”Ne kemi një vendim të Këshillit të Përgjithshëm që nuk futemi në koalicion parazgjedhor me partitë në pushtet dhe jemi të hapur për partitë brenda parlamentit dhe jashtë parlamentit që nuk janë pjesë e kësaj qeverie”,-do deklaronte nën/kryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti.

E megjithatë, fakti që kjo forcë politike do të dalë e vetme në zgjedhje, për shumë analistë por dhe për kundërshtarët e tyre politike, këto zgjedhje do të jenë provë e fortë “mbijetese” për Vetëvendosjen!

11 Qershori ose do ta bëjë më të fortë besimin e popullit të Kosovës tek kjo Lëvizje, ose e ardhmja politike  e Vetëvendosjes, do të jetë në pikëpyetje.

Kjo Lëvizje ka shpalosur një program të qartë me 40 prioritete për një mandat katërvjeçar qeverisës ku spikasin prioritete thelbësore për të ardhmen e Kosovës, si; zbatimi i një plani zhvillimor në krijimin e Fondit Sovran të Republikës Kosovës, të Agjencisë Zhvillimit dhe Bankës Zhvillimore për një rrjet investimesh në Trepçë, KEK-ut, PTK-së, në rritjen e kapaciteteve energjetike, në mbrojtjen e prodhimit vendas, në krijimin e një tregu të përbashkët Kosovë-Shqipëri, në ndërtimin e komisioneve të përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë, në themelimin e forcave të armatosura, në rishikimin shkencor të  demarkacionit me Malin e Zi, në trajtim dinjitoz të veteranëve të Luftës UÇK-së, në zbatimin e një plani 13 pikësh për Mitrovicën, dialog i hapur me qytetarë të pakicës serbe, në mbështetjen institucionale për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në krijimin e komisionit parlamentar për vlerësimin e dialogut me Serbinë, etj. etj.

Nisur nga programi politik dhe ambicia katërvjeçare nga analistë, politikanë, skeptikë e konformistë të ndryshëm bëhet zhurmë kundër një politike ndryshe, që sipas tyre do të krijonte probleme në qeverisje kundër rrymës së ndërkombëtarëve, por që në koshiencën e vetë popullit kosovar, lëvizjet e Lëvizjes  ju kanë paraprirë ngjarjeve historike  dhe vendimmarrjeve të rëndësishme politike, gjë për të cilën dhe vetë faktori ndërkombëtar më pas i ka dhënë mbështetjen e merituar.

Mendimi vizionar i Vetëvendosjes duket qartazi dhe në një deklaratë të Albin Kurtit  se: “Ne nuk jemi kundër pranisë faktorëve ndërkombëtar, por kundër karakterit të pranive të tilla që kanë kompetenca mbi institucionet e Kosovës. Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet dhe FSK të shndërrohet në ushtri. NATO është e mirëseardhur, por me një marrëveshje institucionale me institucionet sovrane. Si mund të ketë partneritet me NATO-n, sipas politikanëve të Kosovës, pa pasur ushtri”. Sipas tij nuk mund të jesh peng i faktit që  e kemi mirë me Amerikën, apo  me BE dhe nuk na intereson gjë tjetër pasi “kombi shqiptar është në një udhëkryq kohor e gjeografik” dhe se ” vitet në vijim nuk do të jenë kaq të qeta sa janë tani, ndaj  Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak”, që më së shumti një gjë të tillë e sheh tek nacionalizmi hegjemonist serb apo fuqive tjera të interesuara në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Në programin për të fituar zgjedhjet më 11 Qershor, Lëvizja Vetëvendosje është për sundimin e së drejtës, për politika të rëndësishme fiskale, për mbrojtje sociale, për një sistem pensionesh dhe shëndetësor sa më efikas, mbështetje të sektorit privat, për mbrojtje të emigracionit, për mbrojtje të vendit dhe qytetarëve, për politikë të jashtme me të drejtë reciprociteti, për integrim euroatlantik, ku për këtë qëllim lider të Lëvizjes ju kanë paraprirë dhe takime me zyrtarë të lartë të BE-së e SHBA-ve. Ajo ka në moto të saj zhvillimin kundër korrupsionit, barazi kundër privilegjeve, për drejtësi kundër krimit, për bashkim të shqiptarëve kundër çdo agresioni, për integrim të pakicave kundër diskriminimit të tyre, për solidaritet kundër përçarjeve, për paqe dhe kundër luftës.

Atëherë në gjithë këto sfida,  në gjithë këtë histori suksesi për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, me të drejtë shtrohet pyetja: A do vendosë Vetëvendosje dhe bashkë me të dhe populli i Kosovës për të ardhmen sovrane dhe dinjitoze të saj? Gjithçka do vendoset më 11 qershor, kur Kosova voton, por një fitore e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje duket në horizont.