Basha u përgjigjet kritikëve: Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u është përgjigjur kritikëve të tij nga qyteti i Gjirokastrës në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë.

Duke folur gjatë mitingut elektoral, Basha theksoi se ndryshimi për të rrëzuar Republikën e Vjetër dhe Edi Ramën fillon nga vetja. Ai deklaroi se edhe brenda PD-së askush nuk e ka të përhershme karrigen, dhe kjo është pjesë e ndryshimit.

“Që ta mundim me votë më 25 qershor njerëzit duhet të besojnë që ne nuk jemi këtu të bëjmë estradë. Ndaj ndryshimi ka filluar në shtëpinë tonë. Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes. Unë kam marrë vendime si kryetar i opozitës, kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira janë vendime të drejta në kohën e duhur. Është koha për vendime të forta, të mëdha.

Ne bashkë në Çadrën e Lirisë kemi marrë vendim të madh, nuk do ta lëmë më të jetë si më parë Republikën e Vjetër, frutat e demokracisë do t’i gëzojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare dhe që të ndodhë kjo duhet t’i japim fund pazarit politik të Republikës së Vjetër”, tha Lulzim Basha nga Gjirokastra.