Masat antikanabis, shtohen qentë antidrogë, ja çfarë ndodh në kufi

Policia e Shtetit, ka ndërmarrë masa të reja në luftën antikanabis. Masat antikanabis blindojnë pikat kufitare në vend, ndërsa nga java e ardhshme do të shtohen edhe qentë antidrogë.

Me urdhër të drejtorit të Policisë Haki Cako është vendosur që çdo mjet transporti mallrash dhe autobus të kalojë në skaner në pikat kufitare Durrës, Kakavijë e Kapshticë. Sipas urdhrit, janë 10 qenë antidrogë që i shtohen policisë kufitare e kryesisht do të përqendrohen në portin e Durrësit, kufirin me Greqinë dhe Malin e Zi.

Prej më shumë se një jave, fluksi i sasive të narkotikëve të sekuestruara në pikat kufitare është ulur ndjeshëm ndërsa Policia e Shtetit sqaron se kjo gjendje kontrolli e konsideruar niveli i kuq do të vazhdojë deri në muajin shtator.