Kupa e Shqipërisë, tre skuadra tifo për Skënderbeun

Një Kupë për disa skuadra. Natyrshëm që fitues do të jetë vetëm një ekip, megjithatë fati i sezonit për të paktën 4 klube lidhet në mënyrë direkte me këtë trofe. Emri që vendos në lëvizje llogaritë komplekse për një biletë në kupat e Europës është Skënderbeu.

Prej faktit që janë në garën për titull dhe nga kampionati kanë të garantuar minimalisht prezencën në Europa League, triumfi i korçarëve do ti hapte rrugën një tjetër klubi nga Kategoria Superiore, që do të merrte pjesë në ndeshjet ndërkombëtare.

Për këtë arsye Vllaznia dhe Luftëtari, që janë dy pretendentet për vendin në Europë nga kampionati, bëjnë tifo për Skënderbeun. Nëse skuadra e Ilir Dajës fiton Kupën e Shqipërisë, atëherë automatikisht në kupa shkon ekipi i vendit të katërt.

Edhe Tirana bën tifo në mënyrë disi më të tërthortë për jug-lindorët. Në këtë rast skema do të ishte disi më komplekse, sepse bardhebluve do tu interesonte që të kualifikohen në finalen e 31 Majit dhe si rivalë të gjejnë korçarët.

Në këtë rast, kleçka është se Tirana duhet të shpresojë që Skënderbeu të jetë maksimalisht i angazhuar në garën për titull dhe ndoshta kupa të këtë kaluar në plan të dytë. Më e komplikuar situata e Teutës, që si zgjidhje ka të përmbysë disavantazhin 1-0 të pësuar në Korçë dhe të triumfojë në finalen e Kupës.

Kjo është rruga më e shkurtër për durrsakët, që në të kundërt do ti bashkoheshin klubeve që bëjnë tifo për Skënderbeun dhe do të përqendroheshin te gara për vendin e katërt në kampionat.

Gjysmëfinalet e kthimit, që luhen këtë të mërkurë, do të zgjidhin disa dilema. Por, fakt është që Kupa e Shqipërisë do të mbetet më interesante se asnjëherë deri në shpalljen e fituesit./SuperSport/