Izet Haxhia: “Ja pse Sali Berisha kërkon vrasjen e Lulzim Bashës”

Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, e konsideron si të pabazë teorinë konspirative, sipas të cilës, shërbime të huaja janë investuar për vrasjen e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë.

Gjatë një prononcimi për Shqiptarja, Haxhia mendon se njeriu më i interesuar për eliminimin fizik të Lulzim Bashës është ish-kryeministri Sali Berisha. Haxhia thotë se Sali Berisha ëndërron një skenar si ai i 14 Shtatorit 1998, por sipas tij ngjarje të tillë nuk mund të përsëriten më. “Për sa i përket lajmit në lidhje me një atentat të mundshëm ndaj Bashës, unë mendoj se është kryekëput një skenar i ndërtuar keq nga brenda çadrës.

Nuk e di se kujt nga “fuqitë e huaja” i intereson një eliminim i Bashës, por mund të them me garanci se, njeriu më i interesuar për eliminimin e tij, është Berisha. Por, për fatin e keq të Berishës dhe fatin e mirë të Bashës, skenari i 12 e 14 shtatorit 1998 nuk mund të përsëritet më, sado që ëndërrohet nga Berisha. Shqiptarët nuk mund të përtypin më skenarë vrasjesh e pritash të skicuara e zbatuara nga e njëjta dorë kriminale, ajo e Berishës”, tha Haxhia. Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, konstatoi se, për ndërtimin e këtij skenari, Berisha ka angazhuar disa institucione, duke iu referuar këtu Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Presidencës.

“Sado që këto skenarë të për vrasje të na i servirin gazetarë mercenarë të tipit Fevziu apo institucione që janë pjesë e këtyre skenarëve, duke u bërë propaganduese të tyre, unë jam i bindur dhe besoj se asnjë shqiptar nuk do të ngrejë armën kundër një shqiptari tjetër për shkak të bindjeve politike apo për hir të interesave kriminale të asnjë politikani. Ato kohë sado që të mundohet t’i ringjallë Berisha me klanin e tij kriminal, kanë marrë fund”, pohon Haxhia.

Kavaja

Izet Haxhia ka komentuar edhe paralajmërimet e Partisë Demokratike për bllokimin e zgjedhjeve në Kavajë. Ish-truproja e Berishës thotë se nisur nga spiralja e dhunës që ka karakterizuar këtë tranzicion, në Kavajë mund të ketë përplasje. “Duke pasur parasysh gjithë këtë kohë tranzicioni të pambarim që kemi kaluar që nga vitet ‘90 dhe spiralja e dhunës që ka karakterizuar këtë tranzicion, që kulmet i ka patur gjatë fushatave elektorale, edhe dhuna dhe përplasja e paralajmëruar në Kavajë nga PD është diçka e besueshme dhe mund të ndodhë. Është për të ardhur keq se, partia e parë opozitare në vendin tonë, që si moto në fillimet e saj kishte demokracinë dhe votën lirë, luftën me mjete demokratike për mbrojtjen e votës dhe përdorimin e votës së lirë si e vetmja armë në demokraci, sot është kthyer pas një përvoje të gjatë në dhunimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve, në kërcënimin më të madh për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, e angazhuar totalisht në prishjen e tyre dhe marrjen e pushtetit me anë të dhunës e bllokimit të institucioneve demokratike”, tha Haxhia.

Për opozitën

Izet Haxhia tha dje se Partia Demokratike është kthyer në një bandë, ku qëllimi i vetëm i saj është mbrojtja nga ndëshkimi i kupolës së saj kriminale me në krye familjen Berisha. “PD sot duke tradhtuar aspiratat e mijëra demokratëve, është kthyer në një bandë ku qëllimi i vetëm i saj është mbrojtja nga ndëshkimi i kupolës së saj kriminale me në krye familjen Berisha. Unë do t’u thosha të gjithë demokratëve të ndershëm e idealistë që mos u bëni pre e një loje të pandershme e antishqiptare që ka për qëllim që krizën dhe frikën nga drejtësia të kupolës kriminale të PD ta kthejë në përplasje me vëllezërit e tyre shqiptarë, që nuk i përkasin bindjeve të tyre politike”, pohoi Haxhia.

Dëshmia e Haxhisë

Gjatë tre viteve të fundit, Izet Haxhia, ka rrëfyer detaje për disa ngjarje të rënda, në harkun kohor 1992-1998. Në shumicën “bëmave” si protagonist shfaqet Sali Berisha, por edhe aktorë të tjerë të politikës shqiptare. Izet Haxhia është dëshmitar kyç i grushtit të shtetit në 14 Shtator të 1998, por dëshmitë e tij janë vendimtare edhe për zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Haxhia ka veshur Sali Berishën me përgjegjësi për hapjen e depove në ’97, ndërsa ka zbërthyer edhe planet e tij për shtypjen e Jugut, për futur në konflikt dy gjysmat e Shqipërisë. Haxhia ka folur për zhdukjen e Remzi Hoxhës, eliminimin e figurave të PD, planet për atentate, planet për vrasjen e personave publikë etj. “Në radhë të parë unë kam folur pak me vonesë, por edhe kjo nuk ka qenë e varur prej meje, sepse kam qenë një person në kërkim, pastaj i burgosur për pesë vjet me radhë. Por këto të vërteta që kam rrëfyer, i kam rrëfyer sepse e kam ndjerë si borxh ndaj njerëzve të vendit tim dhe duke pasur edhe vetë fajet e mia në këtë katrahurë që ndërtuam me emrin demokraci. Nuk kam folur as duke u nisur nga inate personale apo me qëllim hakmarrje”, ka pohuar Haxhia.

Atentati

“Një atentat të mundshëm ndaj Bashës, unë mendoj se është kryekëput një skenar i nderur keq nga brenda çadrës. Nuk e di se kujt nga “fuqitë e huaja” i intereson një eliminim i Bashës, por mund të them me garanci se njeriu më i interesuar për eliminimin e tij, është Berisha”.

Kavaja

“Duke pasur parasysh spiralen e dhunës që ka karakterizuar këtë tranzicion, që kulmet i ka patur gjatë fushatave elektorale, edhe dhuna dhe përplasja e paralajmëruar në Kavajë nga PD është diçka e besueshme dhe mund të ndodhë”.

Berisha: Pas ‘atentatit’ ndaj Bashës qëndron Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje kryeministrin Edi Rama se qëndron për një atlanti të mundshëm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në këtë kuadër, Berisha ka paralajmëruar Ramën se do të përballet me një ndëshkim të rëndë personal për çdo për çdo përpjekje kundër liderit të opozitës apo anëtarëve të saj. “Rama pranon se qëndron ai vetë me mafien e tij shtetërore prapa kërcënimit ndaj Bashës!

Ai me pohimin e tij gazetarëve u tha: Mos kujtoni se e kam bërë unë! Të dashur miq, prej dy ditësh mediat ziejnë për një atentat të mundshëm kundër Bashës. Natyrisht në këtë rast gjëja e parë që të shkon ndërmend është një organizim i mafies dhe krimit të organizuar qeveritar me në krye direkt Edi Ramën, i cili e sheh se Basha e ka shndërruar atë në kryeministër të pakallur dhe rruga e vetme për t’u kapur pas një fije bari është eliminimi fizik i kundërshtarit.

Me këtë rast i themi kreut të meduzës të krimit të organizuar Edi Rama, se për çdo përpjekje kundër liderit të opozitës apo anëtarëve të saj do përballesh me ndëshkimin më të rëndë personal”, shkruan Berisha, duke e pranuar deri diku se kemi të bëjmë vetëm me teori konspirative. Megjithatë, Berisha thotë se arsyetimi i tij është i bazuar. “Ky arsyetim bazohet në: Së pari cilido që analizon me qetësi të dhënat arrin në përfundimin se kemi të bëjmë me një pistë zyrtare mafioze. Së dyti dy vite më parë, Rama angazhoi kryebanditin e Tiranës për t’i çuar Bashës direkt, nëpërmjet zonjës Ademi, asokohe deputete e PD mesazhin e Edvinin “mbylle gojën ose kokën”! Ky kërcenim u denoncua publikisht nga PD dhe media, por Shullazit, i porositur nga Edvini i tij, nuk i hyri gjemb në këmbë përkundrazi ju shumëfishuan fuqitë. Së treti, Edi Drama, duke parashikuar fundin e tij të sigurt në burg, të paktën 35 vjet vetëm për një çështje, është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Prandaj ai sot, duke pohuar mori përsipër autorësinë e skenarit për destabilizimin e vendit, deklaroi atë që ka përgatitur vetë pasi nuk arriti nuk guxojë të mohojë skenarin e destabilizimit të vendit për të shpëtuar lëkurën e tij”, shkruan Berisha.

Rama: Asnjë skenar për të ekzekutuar Bashën

I pyetur mbi një skenar të mundshëm siç kanë përfolur mediat për eliminimin fizikisht të Lulzim Bashës, kryeministri Edi Rama mohoi të ketë një të tillë dhe se burimet që informojnë mbi këtë, janë kontradiktore. Rama tha se nuk ka asnjë skenar të tillë. Kryeministri shtoi se kryetari i opozitës është më i mbrojtur se kurrë. “Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar Bashën. Ka pasur një informacion që është trajtuar me interesim më të madh, informacioni nuk është i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, dhe janë marrë të gjitha masat sikur të ishte e vërtet dhe siguria e kryetari është prioritet nr 1.

Përtej çfarë pompohet në katundin mediatik, Lulzim Basha është më i mbrojtur se çdo herë dhe do të jetë tërësisht i mbrojtur”, tha Rama. Garda e Republikës ka konfirmuar se ka asnjë informacion për cenimin e sigurisë apo jetës së Lulzim Bashës, por ka vendosur të shtojnë një eskortë me 10 gardistë, të cilët do të marrin në ruajtje vetë Bashën, banesën e tij dhe familjen. Në media është raportuar për një kërcënim ndaj kreut të opozitës, ndërsa ai vetë ende nuk ka bërë asnjë koment për këtë lajm, teksa ka vazhduar pa ndërprerje aktivitetin e tij publik përfshi dhe fjalimet tek çadra në bulevard.