E rrallë në Kavajë/Dënohet për 1 rrënjë kanabis

Muajt e fundit, Qeship Kaja ka udhëtuar drejt qytetit për dy arsye. Jo vetëm për të shitur prodhimet bujqësore dhe blegtorale, por edhe për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë.

Pasi i ofruan një avokat kryesisht për shkak të gjendjes së tij ekonomike, Gjykata e Kavajës e dënoi 57-vjeçarin nga Kryevidhi për akuzën e kultivimit të drogës.

Ai u gjet fajtor pas një aksioni policor që zbuloi në bahçen e tij një rrënjë kanabis sativa. Bima narkotike i kushtoi atij 5 ditë burg e më pas dënim me shërbim prove për 7 muaj.

Megjithëse këmbënguli për pafajësinë, sepse sipas tij nuk kishte mbjellë kurrë drogë, Kaja nuk e apeloi vendimin.

“Trafikant nuk jam, as kultivues droge. Nuk e pranoj akuzën sepse ajo bimë mbiu vetë. Nuk e apelova çështjen sepse nuk kisha gjendje ekonomike, me çfarë ta apeloja”, shprehet Kaja.

Kaja e di mirë kuptimin e shprehjes “të jetosh me djersë”, sepse pikërisht këtë gjë ka bërë gjithë jetës. “Jam njeri punëtor, tani po pastroj mbeturinat e Spillesë”, thotë ai.

Por gruaja e tij vuan dyfish edhe fjalët e fshatit. “U turpëruam për këtë drejtësi. Të kishim bërë me të vërtetë hashash, të kishim bërë miliona nuk kisha këtë shtëpi me këto tjegulla”, thotë File Kaja.