Aleati i PS-së, Milo: Kriza politike do shpërthejë në javët në vijim, pa PD nuk ka zgjedhje

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo: Opozita ka të drejtë, 4 faktorë rrezikojnë zgjedhjet e lira

 Intervistoi: Redjon Shtylla

“Pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk mund të ketë zgjedhje”,- kështu shprehet aleati i PS-së, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i PDS-së, vë theksin se pa praninë e opozitës në Parlament nuk mund të ketë ndryshime të Kodit Zgjedhor. Milo ndër të tjera, pohon se sot opozita ka të drejtë kur thotë se, zgjedhjet janë në rrezik dhe sipas tij, ka mungesë garancie për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. “Kanabizimi i Shqipërisë që është një fenomen spektakolar negative, korrupsioni ku ritmet dhe normat nuk janë pakësuar, për krimin dhe për mungesën e garancive për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme”. Por faj nuk ka vetëm maxhoranca, por dhe opozita, vijon Milo. Alarmi që aleati i PS-së jep, është ajo e një kolapsi parlamentar, politik, por edhe zgjedhor. Milo nuk përjashton as trazirat sociale, por që bën thirrje për të gjetur konsensus mes maxhorancës dhe opozitës. Kreu i PDS-së, flet edhe shtyrjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet parlamentare po afrojnë, a keni marrë ftesë nga kreu i PS-së, z.Rama për një tryezë të përbashkët apo takime të aleatëve të PS-së për të negociuar për zgjedhjet e 18 qershorit?

Nuk e di se z.Rama ka bërë apo nuk ka bërë takime me përfaqësues të partive politike që kanë qenë në koalicionin me PS-në më 2013, por e di fare mirë që Demokracia Sociale deri më tani që po bisedojmë, nuk ka pasur asnjë ftesë nga askush për të negociuar për zgjedhjet e 18 qershorit. Ne jemi të hapur për të dëgjuar të gjithë palët që do të trokasin në derën tonë dhe se si do të jetë qëndrimi ynë, do të varet shumë se çfarë palët do t’i ofrojnë si bashkëpunim Demokracisë Sociale.

Situata politike nuk është në ditët e saja më të mira, pasi kemi një çadër përballë Kryeministrisë. Përkatësisht opozita, e cila kërkon qeveri teknike nën qëndrimet se zgjedhjet e qershorit nuk garantohen nga qeveria. Si e keni parë çadrën e opozitës?

Çadra e PD-së me simbolikën që përfaqëson është një model i të bërit politikë në Shqipëri. Nuk është një shpikje e PD-së, e ka përdorur edhe disa vite më parë PS-ja, por për mendim tim çadrat me gjithë simbolikën që kanë dhe partitë që përfaqësojnë janë një tregues i politikës së vjetër, i konfliktualitetit i mënyrave ballkanike të të bërit politikë dhe kur flas për thelbin e kësaj metode të të vepruarit në politikë, përfshirë të gjithë spektrin politik shqiptar dhe jo një politikë e caktuar jo vetëm PD-ja. Një demokraci që Shqipëria nuk po e arrin kur kanë kaluar 26 vjet që kur ka hyrë dhe nuk ka nevojë as për çadra e as për demonstrime në rrugë të natyrave agresive. Demokracia kërkon shfrytëzimin e rrugëve institucionale për të bërë politikë mbi bazën e rrugëve të lojës të përcaktuara që në fillim në Kushtetutën e vendit. Ne kemi një demokraci të cunguar, infatile që është rrjedhojë e demokracive të brendshme partiake që vuajnë nga të njëjta fenomene e për rrjedhojë, jemi këtu që pas 26 vitesh i kërkojnë reformat, ndryshimet që të bëhen përmes dialogut dhe konsensusit në rrugë. Kjo mua më trishton sepse e bërë në këto momente tregon se sa larg jemi ende si shoqëri në plotësimin e standardeve europiane të të bërit politikë e për rrjedhojë edhe në plotësimin e kërkesave që Bashkimi Europian ka ndaj Shqipërisë. PD është në të drejtën e saj që të manifestojë opozitarizmin ndaj qeverisë, por më duket se ka një mentalitet tashmë të rrënjosur thellë në mendjen e shqiptarëve dhe të politikanëve që e shikojnë kundërshtarin politik si armik.

Gjithsesi, ju keni ngritur shqetësimet që qeveria bën sikur ka në kontroll gjithçka, por në fakt situata nuk është e përmbledhur. Si e shihni qeverinë teknike, a është një rrugë për të garantuar zgjedhje të lira?

Qeveria aktuale ka pa dyshim përgjegjësitë e veta për të mënyrën se si ka qeverisur dhe në ballafaqim me popullin në zgjedhjet që do vinë, do të certifikohet ose jo besimi i elektoratit ndaj saj. Rregullat e lojës të vendosura bashkërisht duhet të respektohen, ndryshe vendi kalon në anarki dhe Shqipëria ka provuar gjatë këtyre 26 viteve momente anarkie të jashtëzakonshme që kanë vënë në dyshim edhe integritetin e shtetit shqiptar. Jam për të respektuar rregullat konsensuale të vendosura në formën edhe të ligjeve që rregullojnë jetën politike të vendit dhe për mendimin tim, opozitarizmi sot ka arsye që të kundërshtojë, në mënyrë të veçantë për 3-4 elementë, si kanabizimi i Shqipërisë që është një fenomen spektakolar negative, për korrupsionin ku ritmet dhe normat nuk janë pakësuar, për krimin dhe për mungesën e garancive për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Për këto çështje qeveria duhesh të adresonte me shumë seriozitet dhe me më shumë angazhim. PD-ja kur duhet të harrojë se kjo opozitë sot, deri më 2013 ishte në pushtet dhe ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë që kemi sot një kod të përçudnuar dhe për të cilin ankohet vetë PD-ja sot. Ajo duhet t’i kërkojë përgjegjësitë në radhë të parë tek vetja, për gjendjen që ndodhemi para zgjedhjeve. Unë mbështes çdo platformë apo lëvizje që kërkon të bëjë një Kod të ri Zgjedhor dhe jo arnime, që do t’i shërbejë garantimit të zgjedhjeve të lira jo vetëm përmes votimit apo numërimit elektronik por edhe përmes listave të hapura, por edhe mbi të gjitha me ndryshimin e sistemit, përmes transparencës së partive politike, përmes balancimit të pasqyrimit të aktiviteteve elektorale, për të gjitha partitë politike si dhe të depolitizimit të komisioneve dhe grupit të numërimit të votave dhe për më tepër përmes një lufte konkrete, të fuqishme dhe jo thjesht propagandistike të fenomenit negative të shitblerjes së votave.

Besoni se do të ketë kohë për të realizuar këto ndryshime, duke qenë se Komisioni i Reformës Zgjedhore shumë pak herë është mbledhur. Ku opozita është jashtë Parlamentit, i ka bërë bojkotim pjesëmarrjes, kur maxhoranca e vetme nuk mund t’i miratojë këto ndryshime?

Të dyja palët kanë përgjegjësi të madhe që reformën ose ndryshimet nga OSBE-OHDIR, për Kodin Zgjedhor i la për muajin e fundit, ndërkohë që, kishte tre vite kohë që mund t’i kishte bërë po të kishte vullnet politik, por janë ato hilet tradicionale të politikës, që i lënë diskutimin e çështjeve për në fund për të mos i zgjidhur asnjëherë. Nëse duan dhe kanë vullnet politik real për të garantuar zgjedhjet të lira dhe të ndershme, ka rëndësi të bëhet një Kod Zgjedhor sa më i plotësuar dhe nuk ka rëndësi sa kohë, e rëndësishme është të bëhen zgjedhje të lira dhe të mira e të ndershme, pa le të shtyhen ato, qoftë edhe me 3-4 muaj më vonë, e rëndësishme është cilësia e zgjedhjeve dhe jo koha kur bëhen zgjedhjet.

Mund të ketë zgjedhje pa opozitën, pra që një parti jo në qeveri të marrë rolin e opozitës dhe të zhvillohen zgjedhjet?

E deklaroj me përgjegjësi dhe me bindje se, pa praninë e opozitës në Parlament nuk mund të ketë as korrigjime të Kodit Zgjedhor, pale reformë zgjedhore, pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk mund të ketë zgjedhje dhe në këto rrethana, bëhet edhe më i vështirë zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht i vetingut. Shqipëria po rrëshqet me ritme të shpejta do të thosha drejt kolapsit parlamentar, politik, por edhe zgjedhor. Nëse aktorët tradicionale të mëdhenj të politikës shqiptare nuk reflektojnë sa më shpejt të jetë e mundur për të gjetur një konsensus midis tyre, unë besoj se javët e ardhshme do të jenë edhe më të rënda dhe kriza që ka filluar të konturohet, do të degjeneronte më tej.

Mund të kemi trazira sociale?

Do të ishte gabim i madh nëse opozita do të mendonte, që do të organizonte trazira sociale sepse Shqipëria ka një përvojë shumë të hidhur nga trazirat e organizuara nga partitë politike në të kaluarën. Lufta politike bëhet brenda institucioneve, por bëhet edhe me mjete demokratike dhe në rrugë. Askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të pengojë edhe protestat, demonstratat, mitingjet por brenda një legjimiteti demokratik dhe kushtetues. Ajo çfarë unë parashikoj nëse nuk ka një përpjekje për kompromise është që zgjedhjet do të bllokohen, reforma po ashtu dhe do të vijnë të tjerët siç kanë ardhur edhe herë të tjera ndërkombëtarët, ata që do të përpiqen që të arrijnë kompromisin apo që mund ta imponojnë atë, nuk do të ishte as në nderin e opozitës apo të maxhorancës, por as edhe të Shqipërisë, në rast se përsëriten skenarët e ndërhyrjes së huaj si në kaluarën për të pajtuar politikën shqiptare dhe për t’u treguar atyre se sa mbrapa janë me kulturën demokratike në Shqipëri.

Besoni se në të gjithë këtë situatë, Kryeministri duhet t’i lëri vendit një qeverie teknike, që të mos arrihet në këto që ju paracaktuat?

Unë personalisht, duke qenë se mbroj legjitimitetin demokratik dhe respektoj vullnetin e shqiptarëve të shprehur në mënyrë të lirë jam për përfundimit të mandatit qeverisës të kësaj maxhorance, por nuk dua të besoj që ka një përpjekje kokëfortë të opozitës që kërkon qeveri teknike si një instrument, për të marrë avantazhe në prag të fushatës elektorale që po vjen, nuk ka argument të plota për të pasur një qeveri teknike, por është më tepër një manovër politike për ta goditur maxhorancën në prag të zgjedhjeve. Arsye që opozita të jetë e pakënaqur nga opozita ka plot kjo pasi ky është dhe roli i opozitës, por ka edhe arsye që shtrihen përtej opozitës, duke përfshirë edhe të tjerë, edhe ne siç është kanabizimi i Shqipërisë, siç janë dhe fenomenet negative që janë nxjerrë me bollëk, në vend. Pa le pastaj për të folur për politikat sociale, për ritmet e reformave, zhvillimi ekonomik, qytetari shqiptar e ka të vështirë të besojë se kush ka të drejtë, një luftë në kuptimin mediatik të kuptimit të konceptit, bëhet me shifra që kundërshtojnë njëra-tjetrën, që secila palë të mbrojë pozitën e vet. Ministrat e qeverisë që dalin përditë në televizion dhe ju ofrojnë shqiptarëve arritje spektakolare zhvillimi dhe politikash sociale dhe opozita që bën të kundërtën dhe që i shumëzon me zero këto pretendime të qeverisë, pra me pak fjalë dua të them se situata është e keqe dhe ka tendencë për t’u bërë edhe më e keqe, është mirë sa pa u thelluar kriza që të ulen tensionet dhe të zhvillohen bisedime paparakushte, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe njëherë po e përsëris, sa më shpejt, aq më mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nga të gjitha pikëpamjet. Të mos gënjejë mendja askënd, që duke u përplasur, duke u ekstremizuar luftën politike edhe me mjete demokratike, mund të fitojë njëra palë. Askush nuk fiton, të gjithë humbasin, por mbi të gjitha humbet Shqipëria.