Videomesazhi i vajzës së Agollit: Me zërin që më dridhet… (VIDEO)

Elona, vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli ka falenderuar me një video mesazh të veçantë, gjithë dashamirëit e veprës së babait të saj. Ajo i ka falenderuar kështu të gjithë ata që e kujtojnë shkrimtarin e madh, ndarë nga jeta pak kohë më parë.

MESAZHI I ELONA AGOLLIT

E dashur Erblina Idrizi

Të dashur miq e të apasionuar të poezisë,

Të nderuar dashamirës e adhurues të Dritëroit,

Me zërin që më dridhet e me jo pak ndjenjë përurljeje ndaj jush, ju falenderoj! Ju falenderoj pasi duke lexuar e interpretuar poezitë, përkujtoni poetin, babai tim, i cili shpesh përsëriste që: “Poeti në shoqëri, është si manushaqja e prillit në mes të dëborës.”

Përulem përpara dëshirës e ngasjes suaj fisnike për t’u mbledhur në këtë pasdite letrare kushtuar Atit tim i cili përherë më thoshte: “Shtëpia pa libra është si kopshti pa zogj.”
Nderoj mendimin tuaj për të nderuar artin e madh të atit tim në qytetin e Pejës të Shqipërisë së përtej Drinit, dhe citoj Dritëroin i cili thoshte:“Çdo vend ka dy letërsi: njëra që merr kredi nga populli, dhe ia kthen me këste, dhe tjetra që nuk shlyen asnjë kest.”
Respektoj nismën tuaj organizuar në stinën që aq fort e donte Dritëroi, i cili jo rrallë buzëqeshte duke thënë: “Pranvera është zgërdheshja tërheqëse e natyrës, pas së cilës çmenden poetët.”

E së fundmi, fort duke ju falenderuar, do mëtoj të recitoj një poezi ndër të fundmet e shkruara nga “babushi im” siç e thërrisja me përkëdheli.

Para largimit

Djersiva në arë dhe në lëmë,
lërova poezinë;
im atë punën ma kish nxënë
dhe gjyshja fantazinë.

Tani dhe puna shkoi e vate,
shteroi dhe fantazia.
Në një pallat me gjashtë kate
më gjeti pleqëria.

Më fton nën dhé im atë e gjyshja:
“Këtu të presim, djalë!”
Dhe kur të kthehet dallandyshja,
të thotë: paska dalë …

Ju përqafoj të gjithëve!