Kapet gomonia me drogë në Vlorë

Në rast i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali ka dështuar mbrëmjen e sotme pas ndjekjes në det nga policia.

Një gomone është ndjekur për rreth 1 orë nga Policia Kufitare. Në bordin e mjetit lundrues kanë qenë dy persona, të cilët gjatë ndjekjes e drejtuan gomonen drejt brigjeve të Vlorës dhe më pas ngeci në Zvërnec.

Dy trafikantët u arratisën më pas në këmbë duke përfituar nga errësira. Forca të shumta policie kanë zbarkuar në vendngjarje dhe kanë bllokuar gomonen që ngeci në cekëtinë.

Ndërkohë, rreth 4 kilometra më larg u gjet një sasi e konsiderueshme kanabisi, e cila ende nuk është peshuar.

Uniformat blu vijojnë kërkimet në terren për të gjetur dhe arrestuar dy personat që ishin në bordin e gomones.

Pritet që policia të japë informacion zyrtar rreth këtij rasti të trafiku të drogës të mbetur në tentativë.