Mjedisi i gjobit për mbetjet/ Reagojnë kryebashkiakët: Abuzive! Këto masa s’i shërbejnë pastrimit

Përgjatë vitit 2016 Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka marrë 23 masa administrative për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që nga këto 5 gjoba janë vendosur për kryebashkiakët e bashkive: Pustec, Pogradec, Sarandë, Devoll dhe Librazhd. Sipas ligjit “Për mbetjet urbane” sanksionet me gjobë u vendosen direkt kryetarëve të bashkive, ndërkohë që vlera kap shifrën e 500 mijë lekëve.

Të dhënat u bënë me dije nga kryeinspektori i ISHMP-së, Ergys Agasi gjatë analizës vjetore të institucionit që ai drejton, por kryebashkiakët i cilësojnë këto masa administrative si të padrejta.

agasi

Përmes këtij forumi të “Gazeta Shqiptare”, Bledion Nallbati, Eduart Kapri, Edmond Themelko dhe Kastriot Gurra argumentojnë qëndrimin e tyre kundër dhe arsyet përse kanë ndjekur rrugën gjyqësore për të kundërshtuar këto masa administrative. Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka refuzoi të mbajë një qëndrim publik për këtë çështje.

BLEDION NALLBATI, KRYETAR I BASHKISË DEVOLL
Absolutisht që kjo gjobë nuk është drejtë. Inspektorati i Mjedisit nuk është asgjë tjetër veçse një institucion me punonjës parazitë, që për të justifikuar veten e tyre u vendosin gjoba njerëzve. Unë dua të di se cili Ola Mitre është efekti pozitiv i punës së këtyre njerëzve, që marrin pagat e taksapaguesve shqiptarë. Dakord e mora unë një gjobë, por problemi është si do e pastrojmë ambientin, si do e mbajmë këtë ambient.

Cilat janë masat e marra nga Ministria e Mjedisit për të pasur një ambient të pastër?! Cilat janë masat e Ministrisë së Mjedisit apo një institucioni tjetër shtetëror për t’i ardhur në ndihmë bashkisë për të pastruar një ambient që ka 25 vjet që trashëgon vetëm grumbuj me mbetje. Kjo është detyra jonë dhe e inspektoratit: të ofrojmë shërbim, jo të penalizojmë, sepse gjoba ime si 5 mln, si 50 mln si 500 mln nuk e pastron ambientin. Të më thonë si i shërbejnë komunitetit këta zotërinj përveçse me gjoba. Nuk është problemi te gjoba që kam marrë unë, por ne duhet të mendojmë sesi do t’i shërbejmë qytetarëve. Absolutisht që e kam apeluar dhe jemi në proces gjyqësor.
bledion

EDMOND THEMELKO, KRYETAR I BASHKISË PUSTEC
Kjo gjobë nuk është aspak e drejtë, sepse nuk ka logjikë që për të njëjtin problem jam gjobitur dy herë. Padyshim që ne e kemi çuar në Gjykatën Administrative çështjen. Gjobat e vendosura nga inspektorati i referohen një ligji të menaxhimit të integruar të mbetjeve të ngurta. Vetë ministria e ka nxjerrë sesi bëhet ky proces dhe vlerën përkatëse. Për territorin tonë nevojiten 160 mln lekë të vjetra, që të ketë landfille, kosha, riciklim, ndarje të mbetjeve etj., ndërkohë që gjithë buxheti i bashkisë është rreth 260 mln lekë. Nëse bëjmë këtë, administrata jonë s’mund të marrë as rrogat, ndaj nuk ka logjikë të aplikohet nga ne.
themelko

KASTRIOT GURRA, KRYETAR I BASHKISË LIBRAZHD
Kjo është një gjobë e vendosur për ‘hakmarrje’ nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, pasi ne si bashki e kemi gjobitur inspektoratin për një antenë të një kompanie telekomunikacioni, e cila nuk dispononte lejen e duhur mjedisore. Pra, është një kundërpërgjigje e tyre. Padyshim që është e padrejtë, ndaj dhe ne kemi zgjedhur rrugën gjyqësore për ta apeluar. Aktualisht jemi në proces.
gurra

EDUART KAPRI, KRYETAR I BASHKISË POGRADEC
Ajo gjobë është vendosur pa kaluar një vit nga ardhja ime në krye të bashkisë. Ajo është vendosur për terrene që kishin vite të tërë që ishin në atë situatë. Normalisht është e padrejtë, sepse nuk mund të dilet në çdo fshat, ku kapacitetet tona janë të pamjaftueshme e të vendosen gjoba. E njëjta masë është vendosur edhe për Devollin e Pustecin, po bashkitë e tjera qenkan në rregull?! Mendoj se kjo është selektive. Unë bëra ankimimin, nuk e pranuan e për pasojë tashmë e kam kaluar në rrugë gjyqësore. Jam duke ndjekur këtë rrugë, sepse është e vetmja mënyrë.
kapri

(Gazeta Shqiptare)