PD vendos unamisht: Bojkot Kuvendit deri në krijimin e qeverisë teknike

Bojkot kuvendit deri sa të krijohet qeveria teknike. Në këtë vendim ka dalë grupi parlamentar dhe kryesia e partisë demokratike, të cilët u mblodhën sot pasdite. Burime kanë bërë me dije se ky vendim që Partia Demokratike nuk do të kthehet në Parlament derisa të arrihet krijimi i qeverisë teknike, gjë e cila do të garantoje zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mësohet se të gjithë deputetët kanë qenë dakord për vijimin e protestës deri sa të plotësohen kushtet e PD. Ishte vetë Basha që falënderoi deputetët jo vetëm për organizimin por edhe qëndrimin para kryeministrisë. Qëndrimi do të bëhet me turne, gjithashtu do të diskutohet mes qytetarëve dhe deputetëve të PD për problemet që kanë. Ata gjithashtu thanë se janë në diskutime për bojkotin e parlamentit.

Nuk ka pasur qëndrim për radikalizim deri në grevë të qëndrimit të tyre në protestë. Temë e diskutimit ishte ecuria e protestës dhe hapat që do të ndiqen më pas, si dhe organizimin e saj.

Ora 20:06-“100 mijë protestues ishin gati ta fshinin nga faqja e dheut kazinonë e Edi Ramës”

Nga çadra e protestës së PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë. Ai është shprehur se në protestën e të shtunës qytetarët ishin gati “ta fshinin nga faqja e dheut kazinonë e Ramës”. Sipas Berishës, ishin gjysmë milioni shqiptarë që erdhën në këtë mison dhe janë në mison të madh.

Më tej ai theksoi se: ”Ju lutem të gjithë atyre të cilët analizojnë këtë protestë të mos harrojnë se shpërtheu, 4 muaj para zgjedhjeve cka s’ka ndodhur kurrë që nga viti 91 deri sot, edhe tani, me kultin e krimit nuk ka zgjedhje, është një protestë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe e një fuqie të papërmbajtur dhe të pandalshme. Nëse rama s’pranon kushtin e PD, PD do e imponojë që ta pranojë me një këmbë”, tha Berisha.

Por protesta u bë paqësore u shpreh z.Berisha dhe i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama. ”A e di ti që nga ata 500 mijë që ishin dje në Tiranë, të paktën 100 mijë ishin gati ta fshinin nga faqja e dheut kazinosë së Edi Ramës por iu nënshtruan vullnetit të qytetarëve, e panë frymën e qytetarëve dhe nuk lëvizi një gjethe në Tiranë, por u bë protesta më e fuqishme paqësore, ndaj Edi Ramës i them mos provoko, kaq”.

Sipas tij, kjo protestë dhe kërkesa për qeveri teknike, “s’është retorikë por mision në të cilën PD ose triumfon, ose pastaj ajo nuk mund të flas më në misionin e saj, PD nuk mund të dështojë, por këtu s’është vetëm PD dhe unë s’dua që PD ta marrë, merita këtu është e qytetarëve”, tha Berisha.

Ora 18:30-PD e vendosur, Basha: Kushti është zgjedhje të lira ose s’ka zgjedhje fare

Nga çadra e protestës, në një bashkëbisedim me qytetarë e jo vetëm, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përsëri se është i vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për Bashën, kjo protestë është rruga që siguron zgjedhje të lira, si kusht i vetëm duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë fare zgjedhje nëse s’ka zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër.

“Do të përgjigjem shkurt. Po, ne së bashku do ta dekriminalizojmë shtetin deri në qelizën e fundit. Ne do ti heqim kriminelët nga politika, do ta zbatojmë dekriminalizimin, që sot e bllokon i njëjti njeri që i solli. Kryeministri është ai që i solli, i duheshin për të vjedhur votat. Mos e harroni, nuk ranë nga qielli kriminelët. E dimë se ndryshe nuk ja del dot. Është e gjitha një fasadë, dhe tani thotë të bëjmë zgjedhje fasadë. Prandaj nuk e donte votimin elektronik. Nuk do të ketë më zgjedhje fasadë, nuk do të ketë më zgjedhje të manipuluara. Do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme ose nuk do të ketë më zgjedhje. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike. Ky është kushti. Drejtësi fasadë është projekti i Edi Ramës”, u shpreh kryetari i PD Lulzim Basha.

Ora 15:49-Mbledhja e PD-së/ Grupi vendos për bojkot të kuvendit por jo grevë

Lajmi i fundit që vjen nga selia blu, është ajo e mbledhjes së fundit të grupit parlamentar, ku edhe dolën me disa vendime. Sipas burimeve, grupi i PD-së, nuk do të marrë pjesë në kuvend dhe në komisionet parlamentare.

Një tjetër vendimin është edhe se nuk do të ketë një grevë urie. PD-ja kërkon një qeveri teknike, e cila do të garantojë zgjedhje të lira pasi kreu i qeverisë, Kryeministri Rama nuk garanton zgjedhje të lira në vend.

Ora 12:56-Kreu i AK-së rrëfen pse iu bashkua Berishës dhe Bashës, Spahiu:” Në PS ka të inkriminuar”

Protestës së PD-së, përveç aleatëve të saj, i është bashkuar edhe aleati më i ri. Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu duke folur nga çadra e ngritur përpara kryeministrisë ku po proteston opozita, u shpreh se është krenar që nuk është pjesë e parlamentit, ndërsa tha se do ketë diversifikim të protestës dhe ai do jetë protestuesi i fundit që do largohet.

“Jam krenar që nuk jam pjesë e parlamentit. Do ketë diversifikim të protestës dhe unë do jem protestuesi i fundit që do largohem. Duhet të ngrihet qeveria teknike me ekspertë”­ tha Spahiu.

Ndërkohë i pyetur mbi besueshmërinë e koalicionit mes Aleancës Kuqezi dhe Partisë Demokratike, Kreshnik Spahiu tha se demokratët dhe socialistët ndryshojnë dhe janë si nata me ditën. Ai tha se ka kritika për demokratët, por tek ata nuk ka të inkriminuar, ndërsa në PS ka njerëz të krimit.

“Arsyet pse ne jemi në krah të Berishës dhe Bashës sepse demokratët dhe socialistët ndryshojnë si e bardha me të zezën. Demokratët nuk kanë të inkriminuar, ndërsa në PS ka njerëz të krimit. Unë di të bëj dallimin mes korrupsionit dhe krimit. Duhet të pastrohet llumi i politikës”,- u shpreh Kreshnik Spahiu.

Ora 11:32-Deputetja e PD-së status të ”çuditshëm”, ja si e quan gruan e Bashës

Deputetët e Partisë Demokratike, vijojnë të qëndrojnë në çadrën që është ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë. Kësaj proteste që prej ditësh së djeshme, është bashkuar si rrallë herë edhe bashkëshortja e Lulzim Bashës, Aurela Basha.

Në fakt prezenca e saj, ka bërë që edhe deputetë të PD-së, të shkrepin foto dhe të postojnë statuse në facebook.

Prej qindra fotove dhe statusve, deputetja e PD-së, Albina Deda, është shfaqur e ntuziazmuar nga një foto që ka bërë me bashkëshorten e Bashës, ku madje ajo është shprehur se ajo do të jetë zonja e parë.

Por nëse Basha po synon që të jetë kryeministër i Shqipërisë , bashkëshortja e tij nuk mund të jetë zonja e parë, pasi ky post do të ishte për të nëse Basha do të ketë si synim postin e presidentit të vendit.

Ora 10:30-Protesta e opozitës/Boçi: Kërkesa e PD-së edhe për shtyrje të zgjedhjeve

Nga ”çadra e lirisë”, në një prononcim të fundit, deputeti i PD, Luçiano Boçi për ”Ora News”, ka theksuar se zgjedhjet edhe mund të shtyhen, kjo deri në vjeshtë. Në fakt kjo është një kërkesë që PD-ja e ka përsëritur disa herë në qëndrimet e saja. Më tej deputeti opozitar, përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ka pasur një pjesëmarrje të madhe, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i PD dhe mesazhet kanë qenë të forta. vendosmëria jonë është e palëkundur, për të fituar lirinë dhe demokracinë që është tronditur nga kjo qeverisje. Qëndresa do vazhdojë, ne i kemi parashtruar kërkesat tona, qeveri teknike dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. PD nuk po kërkon pushtet, ose fitore në tavolinë, por kërkon që qytetari mos cenohet me vullnetin e tij, vullnet që ka qenë i deformuar. Me kriminelë në politikë nuk mund të hyhet në një proces zgjedhor. Sot jemi para humbjes së shpresës, kërkojmë ta ringjallim, do vazhdojmë, por qëllimi është krijimi i qeverisë teknike. Një qeveri që merr përsipër zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Jemi përpara një krizë ekonomike, përpara krizës së mediat, dhe përpara krizës së vullnetit të qytetarëve pse mos ketë qeveri teknike. Nuk ka asgjë të keqe që zgjedhjet të shtyhen edhe në vjeshtë, shtatori është i përshtatshëm si muaj. Nëse gjykohet në tërësi ne e pranojmë shtyrjen e kohës. Kjo protestë tejkaloi numrat dhe pritshmëritë. Protesta do vazhdojë, qytetarët do jenë tek kjo çadër”, tha ai.

Ora 9:30- Te ”çadra e lirisë”, si kaloi natën Lulzim Basha me protestuesit

Ndërsa protesta e opozitës ka hyrë në ditën e saj, nata e parë në shesh për protestuesit ka qenë entuziaste.

Në krye të protestës ka qëndruar çdo moment kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili është fotografuar duke luajtur shah, apo duke bërë foto me simpatizantë dhe mbështetës të tij.

Dhjetëra kanë qenë deputetët dhe drejtuesit jo vetëm të PD-së, por edhe të partive aleate që i janë bashkuar kauzës për zgjedhje të lira e të drejta.