Linjë direkte fluturimi Tiranë-Tel Aviv

 Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Izrael, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, e shoqëruar nga Ambasadori ynë në Tel Aviv, z. Bardhyl Canaj, u prit në një takim nga Ministri i Turizmit të këtij vendi z. Yariv Levin.

 Gjatë takimit u diskutuan çështje të ndryshme që prekin bashkëpunimin në fushën e turizmit mes dy vendeve, ku fokusi u vu tek konkretizimi i linjës direkte të fluturimit Tiranë-Tel Aviv. Kjo linjë direkte do të sjellë një ndikim më të madh në rritjen e fluksit të turistëve në të dyja vendet dhe do të promovojë Shqipërinë turistike në një treg i cili po zhvillohet me shpejtësi kohët e fundit.

Ministrja Ekonomi ftoi Z. Levin që Izraeli të marrë pjesë në panairin “Mediterranean Tourism Fair” që do të zhvillohet në datën 8-9 prill në Tiranë.

 Në vijim të vizitës Ministrja Ekonomi zhvilloi dhe një takim mjaft produktiv me kreun e një prej kompanive që ofrojnë shërbime të fluturimeve civile në Izrael, z. Joseph Adar për të diskutuar mundësitë reale të operimit të linjës së fluturimit Tiranë-Tel Aviv, duke nisur që prej fillimit të këtij sezoni turistik veror.

 Në mbyllje të vizitës në mjediset e ambasadës tonë në Israel, Ministrja Ekononomi zhvilloi dhe një intervistë me gazetarin dhe blogerin e mirënjohur Shlomo Abramovich, ku theksi u vu tek promovimii i Shqipërisë si një ndër destinacionet turististike më pak të njohura për publikun vendas.

 Ministrja Ekonomi në ditën e parë mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Turizmit IMTM 2017 në Tel Aviv, ku Shqipëria përfaqësohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe disa operatorë turistikë, si një mundësi për të promovuar bukuritë e Shqipërisë dhe destinacionet kryesore turistike të saj në gjithë botën.