Bilal Kola: APD, aleanca reale e vlerave të djathta

Flet Bilal Kola, themelues dhe drejtues i Aleancës Popullore për Drejtësi: Partitë e vjetra vazhdojnë të përdorin në pozicione vendimmarrëse njerëz të implikuar me Sigurimin e Shtetit

Intervistoi: Qamil Xhani

Aleanca Popullore për Drejtësi (APD) është një nga partitë më të reja të spektrit politik në vend. E themeluar një javë më parë në një konventë me mbi 3 mijë pjesëmarrës, APD synon të jetë zëri i gjithë qytetarëve që u ndëshkuan nga diktatura për 45 vjet, por edhe sot vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur nga pluralizmi. Bilal Kola, themelues dhe drejtues i Aleancës Popullore për Drejtësi, në një intervistë për “Koha Jonë” thotë se, të përndjekurit, pronarët realë dhe diaspora janë baza e kësaj lëvizje të re politike. Por jo vetëm kaq, brenda saj e gjejnë veten gjithë qytetarët shqiptarë që janë nëpërkëmbur nga qëndrimet e pseudo të djathtëve. Kola shprehet se, më shumë se koalicionet për APD ka rëndësi vendosja në vend e të drejtave të kategorive që janë nëpërkëmbur. Duke folur për mungesën e ndëshkimit të krimeve të komunizmit, Bilal Kola jep edhe një arsye që është njëherazi dhe akuzë ndaj partive kryesore. “Partitë e vjetra vazhdojnë të përdorin në pozicione vendimmarrëse njerëz të implikuar me Sigurimin e Shtetit”,- deklaron Bilal Kola.

 Kola, pak ditë më parë ju së bashku me një grup bashkëpunëtorësh themeluat Aleancën Popullore për Drejtësi. Duke parë një listë pafund partish dhe lëvizjesh që kanë lindur gjatë këtyre viteve, çdo qytetar natyrshëm shtron pyetjen; përse duhet një parti e re politike?

Së pari të saktësojmë një fakt – Unë së bashku me rreth 3,000 bashkëpunëtorë të vyer (pasi sipas çdo definicioni “grupi” kufizohet në një numër të vogël personash) themeluam Aleancën Popullore për Drejtësi! Sa i përket numrit të partive, unë nuk do e shtroja problemin nga sasia e numrit të tyre, por nga cilësia e çështjeve, grupit të interesave dhe kauzave që përfaqësojnë. Në këtë kontekst, pa komentuar rreth çështjeve, grupit të interesave dhe kauzave që përfaqësojnë partitë e tjera, aq më pak cilësisë së këtij përfaqësimi, më lejoni t’iu shpjegoj pse lindi Aleanca Popullore për Drejtësi. Regjimi komunist në Shqipëri në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, përveç pasojave të ndryshme si pasojë e diktaturës sui generis enveriste, ka pasjellë formatimin edhe të disa grupimeve sociale si: të përndjekurit, pronarët realë dhe diaspora. Aleanca Popullore për Drejtësi synon, përveç adresimit të disa çështjeve që kanë të bëjnë me mirë-funksionimin e shtetit ligjor, tregun, ekonominë dhe biznesin, të adresojë dhe zgjidhe në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, në përputhje me germën dhe frymën e Kushtetutës, një mori çështjesh që mbeten të pa-zgjidhura prej 26 vitesh post-diktaturë! Pra, Aleanca Popullore për Drejtësi vjen si nevojë imediate e mosrehabilitimit të të përndjekurve politikë, moskthimit të pronës te pronarët realë dhe mos adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me faktorizimin e diasporës, e cila është kontributor neto për Shqipërinë, por aspak vendimmarrës për fatet e vendit! Në kushtet kur, sipas një Raporti të KLSH, për të përndjekurit është kryer vetëm 1/3 e dëmshpërblimit që nga ligji i pafajësisë së vitit 1991 (masat dhe iniciativat për rehabilitimin moral të tyre ende nuk kanë filluar), prona nuk është kthyer tek i zoti, kontributet e diasporës shpërfillen, Aleanca Popullore për Drejtësi i përgjigjet thirrjes së elektoratit shqiptar me qëllim adresimin dhe zgjidhjen permanente të këtyre çështjeve.

Pikat tuaja kryesore të programit përqendrohen te ish-të përndjekurit politik. Një 26-vjeçar sot di pak gjëra ose aspak për vuajtjet në komunizëm dhe për dënimet për shkak të bindjeve politike. A nuk duket pak e vonuar pas 26-vjetësh të bësh fushatë kundër regjimit komunist?

Një pjesë e rëndësishme e programit tonë përqendrohet të rehabilitimi i të përndjekurve, sikundër edhe te çështja e pronarëve realë dhe diasporës. Vetë fakti pse një 26-vjeçar di pak ose aspak për diktaturën komuniste është arsye më vete pse pjesa e programit tonë për “Muzealizimin , Kurrikulat Shkollore dhe Vlerësimet Historike” duhet implementuar. Ne synojmë krijimin e muzeve të kujtesës në ish-burgjet e diktaturës komuniste dhe kampeve të internimit dhe vënien në shërbim dhe menaxhim të këtyre muzeve nga vetë anëtarët e komunitetit e të përndjekurve duke përfshirë shoqatat e të përndjekurve politikë. Përveç iniciativave ligjore për dënimin e krimit komunist, që kurrë nuk u ndërmorën, ne synojmë ballafaqimin e nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si dhe me anë të ekskursioneve në vendet e vuajtjes së martirëve të lirisë dhe viktimave të komunizmit, me ciceronë ish të burgosur dhe të internuar. Kjo sigurisht që, është e vonuar, por përgjegjës për këtë janë pikërisht vendimmarrësit e këtyre 26 viteve dhe jo 26-vjeçarët shqiptarë! Për këtë gjë ne nuk do shpikim rrotën, pasi në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në vendet e tyre tashmë i kanë implementuar këto iniciativa, do të mundësojmë rehabilitimin moral të martirëve të vërtetë të lirisë dhe demokracisë. Po ju jap një shembull – në Gjermani nxënësit e kanë provim lirimi historinë e diktaturave që ka përjetuar ky vend! Kjo për gjermanët nuk është thjesht një çështje dijesh historike, por mbi të gjitha një induktim qytetar që i bëhet rinisë së vendit të tyre me qëllim fundor për parandalimin që në gjenezë ripërsëritjes së mundshme të fajeve/gabimeve të rënda të së shkuarës naziste dhe komuniste. Dihet se mosreflektimi mbi të shkuarën është premisë për përsëritjen e saj!

Sa herë që në skenën politike dalin forca të reja nuk mungojnë dhe aludime të gjitha formave. Diku me emër dhe diku në mënyrë anonime, ajo që thuhet për APD-në në media të ndryshme është se partia e re po “sponsorizohet” nga e majta, për shkak se ish të përndjekurit kanë qenë gjithmonë një elektorat i djathtë. Si i komentoni këto zëra?
Sa i përket mediave më lejoni t’ju bëj me dije se, megjithëse, stafi ynë i organizimit i kishte njoftuar të gjitha mediat për të mbuluar zhvillimet e Konventës, pati thuajse një bojkot total të mbulimit të Konventës të Aleancës Popullore për Drejtësi nga media vizive dhe e shkruar! Kjo bëhet akoma më qesharake, kur media tregon më shumë interes për tre “gjynahqarë të kapur” që protestojnë kundër themelimit të APD (veprim tipik për koreano-veriorë, pasi atje nuk lejohen partitë politike), sesa ndaj 3,000 personave vullnet-lirë që janë mbledhur nga gjithë Shqipëria në mënyrë civile për të themeluar shtëpinë e tyre politike! Sa për zërat –janë thjesht aludime pa asnjë bazë, të shpërndara nga emrat dhe anonimët që janë në shërbim të atyre që kanë dështuar,jo se nuk kanë ditur, por se nuk kanë dashur të zgjidhin problematikat që Aleanca Popullore për Drejtësi aspiron të zgjidhim. Ne jemi të djathtë realë pasi i tillë është programi ynë, të tillë janë përfaqësuesit tanë dhe i tillë është elektorati ynë i papërfaqësuar. Nëse kauza, interesat dhe çështjet e elektoratit tonë do të ishin përfaqësuar dhe do të ishin zgjidhur, nuk do kishte nevojë për alternativën tonë. Është fakt botërisht i ditur që nuk janë zgjidhur, pasi na e kanë vënë kusht edhe të huajt për t’i zgjidhur. Nisur nga këto fakte, ato emra dhe anonime që thonë se ne “sponsorizohemi” nga e majta, kanë qenë dhe mbeten në shërbim permanent të së majtës pasi janë pikërisht ata që i bëjnë “davanë” atyre që nuk i kanë adresuar kauzat dhe interesat e vërteta të së djathtës. Akuzat dhe aludimet e tyre as nuk na “gudulisin” pasi fatkeqësisht, e bëjnë këtë gjë se janë shpirt-shitur jo se u dhemb shpirti që për kauzën dhe interesat e të përndjekurve dhe pronarëve realë. Nëse me të vërtetë do t’u dhimbseshin të përndjekurit dhe pronarët reale, atëherë padyshim do ishin në krahun tonë dhe jo kundër nesh! Mund t’i bëni pyetjen vetes, pasi unë e di përgjigjen: Pse nuk thonë gjë këta shpirt-shitur për Kaçin që u shpall “demokrat” brenda 24 orësh dhe shumë të tjerë si puna e tij, por akuzojnë për të majtë, individë dhe familje  par ekselence të së djathtës që i ka masakruar komunizmi?! Kjo konfirmon se, ato emra dhe anonime janë shpirt-shitur, por kurrsesi jo shpirt-dhimbsur për të djathtën, kauzat dhe interesat e papërfaqësuara të saj!

 Si do të jenë qëndrimet e APD lidhur me politikën e ditës? Do të jeni në koalicion me PD apo me PS?

Në radhë të parë APD synon të ndërtojë shtëpinë e saj, me njerëzit tanë, për njerëzit tanë! Ne synojmë të përfaqësojmë gjithë gamën e interesave të tyre të papërfaqësuara. Për sa i përket dy subjekteve që ju përmendët, ne na duken në plan të gjerë (bazuar në vepra dhe jo llafe) thuajse njëlloj, pasi të dyja kanë dështuar të trajtojnë për 26 vite rresht çështjet thelbësore që ne synojmë të zgjidhim. Thënë këtë, nuk mund të mohojmë faktin se përsa i përket politikave fiskale jemi shumë më afër PD-së, por gjithsesi me një sens mirëfilli të djathtë dhe libertar (jo amalgamë gjysmë demagogjikë). Koalicion nuk preferojmë të bëjmë me asnjërën prej tyre!

 ë vendimin e parë të Kryesisë së partisë vendosët hapjen e dosjeve gjatë regjimit komunist dhe dorëzimin e dëshmive të penalitetit për të gjithë anëtarët e strukturave drejtuese të partisë dhe kandidatëve për deputetë. Cilin shihni si proces më të rëndësishëm, dekomunistizimin apo dekriminalizimin?

Kjo për të dhënë shembullin se Aleanca Popullore për Drejtësi në mënyrë kategorike nuk kompromenton me pastërtinë e figurës së përfaqësuesve të saj. Këtë kompromentim e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë partitë e vjetra, në kurriz të interesit publik. Është fakt i ditur që partitë e vjetra kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin në pozicione vendimmarrëse njerëz të implikuar me Sigurimin e Shtetit duke i shantazhuar në lidhje me të shkuarën e tyre. Dihet që kjo është bërë për interesat meskine të këtyre partive në dëm të pastër të proceseve demokratike dhe shtetit ligjor. Si dekomunistizimi po ashtu edhe dekriminalizimi kanë rëndësi imperative për mirëfunksionimin e shtetit ligjor. Është turpëruese dhe skandaloze që Shqipëria ende nuk ka bërë dekomunistizimin. Sa i përket kriminalizimit të politikës, politikanët aktualë “bëjnë” sikur erdhi nga qielli, ndërkohë që, populli e di që ata vetë janë mbjellësit dhe kultivuesit e kësaj “fare”.

 Shqipëria është ndër vendet e vetme komuniste që nuk arriti të kryejë një proces normal të dënimit të krimeve të komunizmit. Pse ndodhi kjo dhe a ka ende kohë për ta realizuar këtë?

Së pari, kjo nuk ka ndodhur pasi në Shqipëri thjesht ndërroi sistemi, nga diktaturë ne një “palo” demokraci, por jo njerëzit! Ata thjesht ndërruan xhaketat. Nëse në Shqipëri do të ishte bërë dekomunistizimi, thjesht fakti se, ndërruan xhaketat nuk do t’i kishte mbajtur xhaketë-ndërruesit në politikë. Gjithmonë, ka kohë për të bërë dekomunistizimin, përsa kohë dekomunistizimi nuk është bërë; dhe përsa kohë ai nuk është bërë, shoqëria shqiptare do lëngojë në “palo” demokraci.

Për shkak të detyrës në Institutin e të Përndjekurve Politikë keni informacione të veçanta lidhur me dosjet e ish-komunizmit. A ka ish-punonjës apo ish-informatorë të Sigurimit që janë ende aktivë në politikë?

Ndërkohë që, e di përgjigjen e kësaj pyetje, nuk kam dëshirë të komentoj pasi komentin thelbësisht e kam bërë duke dhënë kontributin tim në ligjin për hapjen e dosjeve dhe ku më mirë se përgjigjen ta merrni shumë shpejt nga burimi…

 

Në këto vite është folur shumë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë, por është bërë shumë pak. Cila është arsyeja; shoqëria nuk ka interes të vetëpastrohet nga e kaluara e errët apo segmente të shtetit dhe politikanë pas viteve ‘90 kanë qenë vetë të implikuar në krimet e komunizmit?

Konstatimet tuaja janë mëse të vërteta dhe kjo dëshmon domosdoshmërinë e implementimit të programit të Aleancës Popullore për Drejtësi, i cili synon dhe do të mundësojë iniciativa ligjore të mirëfillta në dënimin e krimeve të komunizmit dhe rehabilitimin real dhe të plotë të përndjekurve politikë. Në gjykimin tonë arsyet pse këto nuk kanë ndodhur janë dy, por të ndërlidhura ngushtësisht njëra me tjetrën. Origjina e atyre që kanë përfaqësuar politikën shqiptare në këto 26 vite është thellësisht e majtë dhe për rrjedhojë të implikuar (në mos vetë, familjarët e tyre) në krimet e komunizmit; si dhe mungesa e përfaqësimit të së djathtës reale në vendimmarrje (shikoni Parlamentin e sotëm dhe vlerësoni sa prej tyre janë të përndjekur).