Zjarrëfikësit në pikë të hallit – Të shuash flakët me fshesa, kazma, lopata dhe sfurqe…

Zjarrfikësit e Ballshit i shuajnë zjarret me fshesa, kazma, lopata dhe sfurqe. 64 mijë banorët e Mallakastrës duhet t’i “luten Zotit” për të mos rënë zjarr, pasi Reparti i Zjarrfikëses nuk ka automjete dhe as pajisje për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve. Në qytetin e Ballshit ndodhet stacioni zjarrfikës, i cili edhe pse është i hapur 24 orë, ka mungesë stafi dhe infrastrukture. Ata nëpërmjet shatës dhe lopatës presin në pyll shkurre dhe ndërtojnë fshesa për të shuar zjarrin, ndërsa nëse zjarri bie në qytet, kërkojnë ndihmë nga policia dhe zjarrfikësja e uzinës së naftës që ndodhet në Ballsh.

Komandanti i stacionit Zjarrfikës Ballsh, Jonuz Murataj, shprehet për “Fiks Fare” se i vetmi automjet që ka ky stacion, prej një viti e gjysmë është jashtë funksioni. Ai së bashku me punonjësit e tjerë në shumë raste kanë ndërhyrë me mjete rrethanore. “Automjeti i vetëm që ndodhet këtu është jashtë funksionit, është amortizuar totalisht, normale pasi ky është i viteve 60-70. Ne jemi munduar të ndërhymë me fshesa. I kemi prerë shkurret e degët e pemëve në pyll me shatë e lopatë dhe kemi ndërtuar këto mjete rrethanore për të shuar zjarrin”, shprehet ai.

Godina e këtij stacioni është “pushtuar” nga lagështira. Muret mezi mbahen në këmbë edhe pse “heronjtë” e Zjarrfikëses në Ballsh kanë dhënë para nga pagat e tyre për t’i mirëmbajtur. “Kemi mungesë stafi. Dy punonjës janë në turn. Problem mbetet edhe godina. Ju e shihni vetë është copë-copë, muret me lagështirë edhe kaq e kemi mbajtur me zor, duke vënë para nga xhepi jonë. Që kur u shkëputëm nga Prefektura jemi zero. Na ndihmon stacioni i uzinës, por edhe ata janë një shërbim tetë oraresh, në shkelje me ligjin”, shprehet Murataj.

“Fiks Fare” i’u drejtua Bashkisë së Ballshit e cila që prej vitit 2015 ka në ngarkim këtë shërbim. Kryetari i saj, Agron Kapllani, shpjegon se stacioni i është dorëzuar Bashkisë në këtë gjendje, por edhe kjo e fundit nuk është në gjendje ta mbulojë si shërbim, pasi nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Megjithatë ai shpjegon se 12 milion lekë që janë caktuar për këtë shërbim mbulojnë vetëm stafin, ndërsa për infrastrukturën Bashkia duhet të gjej fonde për të blerë të paktën një makinë të përdorur por në gjendje pune.

“Ky shërbim duket sikur i është ngecur Bashkisë, pasi kjo e fundit nuk ka fonde për ta përballuar. Ne kemi vetëm 12 milion lekë për këtë vit, të cilat do shërbejnë për stafin, i cili do të shtohet në numër që të përputhet me kërkesat e ligjit. Përsa i përket infrastrukturës do mundohemi të blemë një makinë të përdorur, por në gjendje pune pasi këto janë kushtet tona s’kemi çfarë të bëjmë”, përfundon Kapllani./tch