Bisedimet për Sirinë në Astana, Rusia: Rezultuan të suksesshme

Dita e parë e bisedimeve për paqen në Siri, që po zhvillohen në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit, ka rezultuar e suksesshme.

Këtë e ka konfirmuar vetë kreu i delegacionit rus në punimet e këtij eventi mjaft të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës siriane, Alexander Lavrentiev, duke shtuar se prania e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, ambasadorit amerikan në Kazakistan, si edhe përfaqësuesve të grupeve të qeverisë dhe opozitës siriane ka qenë veçanërisht e rëndësishme për rezultatin e eventit në fjalë.

Ndërkaq, dokumenti final i bisedimeve që po mbahen në Astana është në diskutim e sipër dhe ai do të paraqitet për pjesëmarrësit pasi të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Sakaq, Lavrentiev ka refuzuar të komentojë detajet mbi përmbajtjen e këtij dokumenti, teksa puna për hartimin e tij është në proces e sipër dhe duke u zhvilluar aktualisht.

“Ne po vazhdojmë punën. Negocimi i tekstit përfundimtar të deklaratës është duke u zhvilluar, ai do t’u prezantohet pjesëmarrësve për shqyrtim dhe do të miratohet përfundimisht në rrjedhën e seancës së nesërme”, u tha Lavrentiev gazetarëve, lidhur me një fakt të tillë.

Kujtojmë se bisedimet mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës, për herë të parë që prej fillimit të konfliktit në Siri, po zhvillohen në Astana me pjesëmarrjen e Rusisë, Iranit dhe Turqisë, të cilat janë pikërisht vendet garantuese të armëpushimit në Siri dhe parashikohet që ato të konkludohen me një rezultat pozitiv.

“Ne besojmë se kjo është tepër e suksesshme. Ne ishim në gjendje dhe arritëm të zhvillonim një takim ndërkombëtar për Sirinë në Astana. Unë mendoj se kjo ngjarje është mjaft e rëndësishme, sepse ajo ishte e hapur jo vetëm në prani të tre vendeve garantuese të marrëveshjes, të nënshkruar në muajin dhjetor 29 të vitit të kaluar, por edhe në prani të përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe ambasadorit amerikan në Kazakistan, si dhe në prani të delegacioneve të qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur siriane”, u tha më tej gazetarëve Lavrentiev.

Sipas tij, ky është një hap edhe simbolik i cili jep një shpresë për një nivel të ri të cilësisë në procesin e bisedimeve, mbi zgjidhjen e krizës siriane. Dhe se pavarësisht tensionit të lartë në fillim, palët arritën të demonstrojnë një qasje të ndjeshme dhe janë përpjekur për të shmangur veprimet të cilat mund të çonin në dështimin e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme ndërkombëtare.

Bisedimet që po mbahen mbi zgjidhjen e krizës siriane në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, të ndërmjetësuara nga Moska, Ankaraja dhe Teherani, kanë filluar të hënën dhe pritet të zgjasin edhe sot, bisedime këto që arritën të mbledhin së bashku delegacionin e qeverisë siriane mee përfaqësues të grupeve të armatosura opozitare për herë të parë që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.

Mohammad Alloush (C), the head of the Syrian opposition delegation, attends Syria peace talks in Astana, Kazakhstan January 23, 2017.